Policia refuzon të tregojë se si erdhën në Shqipëri Dervishaj dhe Meçaj

Policia refuzon të tregojë se si erdhën në Shqipëri Dervishaj dhe Meçaj

09:36, 15/08/2024
A+ Aa A-

Policia e Shtetit njoftoi të mërkurën më 14 gusht sjelljen nga Dubai në Tiranë të të shpallurve në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt, të akuzuar për një sërë atentatesh dhe vrasjesh. Ata njihen si pjesëtarë të “Bandës së Durrësit”, e drejtuar nga Lulzim Berisha, aktualisht i ndaluar në Spanjë.

Po ashtu, u njoftua kapja në Gjermani e Fabio Ballabanit, i cili akuzohet për kërcënimin me armë të bashkëshortit të gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Apelit, Saida Dollani, për shkak të detyrës së saj.

Gjatë një konference për mediet të mëkurën, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku sqaroi se sjellja e Dervishajt dhe Meçajt në Tiranë ishte realizuar nëpërmjet operacioneve të fshehta të Policisë së Shtetit, për të cilat tha se ishin “të klasifikuara dhe nuk mund të bëheshin publike”.

Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe njihet si “parajsë penale” për një sërë figurash të krimit të organizuar shqiptar, ekstradimi i të cilëve ka qenë deri më tani i pamundur. Megjithatë, Policia e Shtetit nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN nëse praktika e ndjekur me Dervishin dhe Meçajn mund të aplikohej edhe për raste të tjera.

Në përgjigje të kërkesës për informacion, drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në Policinë e Shtetit, Elton Metaj i tha BIRN se publikimi këtyre informacioneve do të dëmtonte hetimet dhe punën e policisë.

Plaurent Dervishaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Ndërsa Julian Meçaj akuzohet si një nga autorët e atentatit të ndodhur në nëntor të vitit 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe Pullumb Muharremit, ku mbeti i vrarë Andi Maloku.

Edhe pse mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara mungon një marrëveshje ekstradimi, procedura e ndjekur së fundmi nga Policia e Shtetit, e cilësuar prej Rrumbullakut si operacion i fshehtë, duket se ka hapur një ‘dritë jeshile' për kthimin në Shqipëri të shumë figurave të krimit të organizuar që kanë gjetur strehë në Dubai.

Njëri prej tyre është Durim Bami, i arrestuar në muajin qershor në Dubai për llogari të autoriteve shqiptare, pas akuzave të ngritura për organizimin dhe porositjen e vrasjes së mbetur në tentativë të ish-deputetit socialist Arben Ndoka.

Rrumbullaku sqaroi për mediet të mërkurën se ndaj Bamit ishte ndryshuar masa e sigurimit personal nga autoritetet e drejtësisë në Emiratet e Bashkara Arabe, duke e lënë atë në arrest shtëpie.

Amant Josifi, i dyshuar si i lidhur me tre kompani “call-center” të krijuara nga një organizatë kriminale ndërkombëtare e njohur si ‘Milton Group' u arestua po në Dubai në shtator të vitit 2023. Sipas Europol, autoriteteve spanjolle dhe atyre shqiptare organizata “Milton Group” ku akuzohet se bënte pjesë Josifi, ka mashtruar mijëra persona në Spanjë dhe vende të tjera të BE-së si dhe ka përfituar përmes mashtrimit dhjetra milionë euro.

Franc Çopja, një tjetër i kërkuar nga SPAK për vepra penale të krimit të organizuar u arrestua në Dubai dhe u ekstradua në Belgjikë për llogari të autoriteteve të drejtësisë së atij vendi.

Ndërsa në maj të vitit 2021, Shqipëria kërkoi pa arritur sukues ekstradimin nga Dubai të Florenc Çapjas, një nga drejtuesit e një bande famëkeqe kriminale po në qytetin e Elbasanit, i akuzuar për dy vrasje në vitin 2012.

Në Dubai u ndalua në vitin 2020 edhe Denis Matoshi alias Eldi Dizdari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma në Itali për “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e narkotikëve në sasi të mëdha”. Sipas SPAK, grupi kriminal i udhëhequr nga Dizdari është pjesë e kartelit të drogës të quajtur “Kompania Bello”, që ka lidhje direkte me importues të tjerë shqiptarë kokaine nga Amerika Jugore./BIRN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco