Tentoi t’i vendoste eksploziv anijes së konkurrentit në Sarandë, Apelit lë në burg 35-vjeçarin

Tentoi t’i vendoste eksploziv anijes së konkurrentit në Sarandë, Apelit lë në burg 35-vjeçarin

16:04, 13/08/2024
A+ Aa A-
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Eridion Muho.

Ishte paraditja e 5 majit 2024, ku në portin e Sarandës u dogj trageti i linjës drejt Korfuzit. Ngjarja u mbyll pa autorë dhe pa shkak, ndërsa më 24 qershor një shpërthim me eksploziv i mori jetën një zhytësi 52-vjeçar, Armand Nelaj.

Vdekja e tij u raportua fillimisht si aksidentale nga plasja e bombolës së oksigjenit, e më pas hetimet u shtrinë në pistën e atentatit. Një muaj më vonë, nga hetimet rezultoi se dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe vdekja e zhytësit jo vetëm që nuk ishte atentat, por ai vdiq teksa po tentonte t’i vinte eksplozivin anijes së konkurrentit që dogji anijen në maj.

Anija e djegur ishte në pronësi të Eridion Muho dhe pikërisht, ai kishte planifikuar hakmarrjen ndaj konkurrentit që donte t’i vendoste eksploziv, por e pësoi vetë.

Zhytësi që ai kishte ngarkuar për të vënë eksplozivin, i kishte plasur pa e vendosur ende në anije, duke i marrë jetën në vend. Pas zbardhjes së ngjarjes, policia thotë se ka vënë në pranga 35-vjeçarin Eridion Muho, ndërsa hetimet do të vazhdojnë.

Njoftimi i Gjykatës së Apelit

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim me iniciale E. M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 152/3, 25 dhe 22 i Kodit Penal.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin nr. 23-2024-1488, datë 30.07.2024, ka vendosur:

– Vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim E. M.

– Caktimin si masë sigurimi ndaj personit nën hetim E. M  atë të “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit  të bërë, nga personi nën hetim me iniciale E. M, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës dhe revokimin e kërkesës së organit të akuzës.

Në përfundim të gjykimit, më datë 13.08.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Qemal Zaimi, vendosi:

-Miratimin e vendimit penal Nr.23-2024-1488 datë 30.07.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco