Sky Ecc hedh dritë mbi grabitjen në aeroport: E kryen vëllezërit Çopja!

Sky Ecc hedh dritë mbi grabitjen në aeroport: E kryen vëllezërit Çopja!

07:51, 02/08/2024
A+ Aa A-

Prokuroria e Posaçme dha dje një pasqyrë të aktivitetit kriminal të grupit që drejtohej nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.

Të dhënat janë të përcipta në lidhje me të paktën 14 atentate, ndërkohë që është hedhur dritë mbi aktin e rëndë të sulmit mbi familjen e Erion Alibejt, ngjarje e ndodhur në fundin e vitit 2019.

Në atë pritë u vranë 3 persona, ndërkohë që më herët ishte tentuar disa herë të vritej Erioni, por kishte shpëtuar. Dy vëllezërit Çopja, sipas zbulimit të bisedave në Sky Ecc, kanë tentuar të vrasin edhe Nuredin Dumanin, vrasësin famëkeq, që sot është i penduari i drejtësisë. Por ajo që nuk dihej dhe nuk ishte folur më herët për aktivitetin brutal të këtij grupi kriminal, ishte përfshirja në supergrabitjen e ndodhur në barkun e avionit të linjës së Vjenës në Rinas.

SPAK ka konkluduar se në atë grabitje të armatosur kanë marrë pjesë vëllezërit Çopja, çka ia ndryshon shumë rrjedhën asaj ngjarjeje, ku nën akuzë për grabitjen janë persona të tjerë dhe emri i tyre nuk doli kurrë në skenë deri ditën e djeshme. Përveç katër vrasjeve të bujshme, një mori atentatesh të dështuara, grupi sipas të dhënave hetimore ka arritur të rekrutojë jo vetëm punonjës policie, të cilët iu kanë shërbyer për vite me radhë, por edhe punonjës të gjykatës së Elbasanit.

SPAK nuk dha emra punonjësish policie apo zyrtarësh të përfshirë, po ashtu as emra të të kërkuarve, të cilëve iu është prerë urdhërarrest, por u mësua se në 33 urdhra të lëshuar, janë ekzekutuar vetëm 13. As për ekzekutimin e urdhrave SPAK nuk tha se kush janë të arrestuarit, siç nuk u dhanë detaje në lidhje me pallatet në ndërtim në trekëndëshin ku vepron ashpër krimi i organizuar Elbasan-Tiranë-Durrës.

Sipas materialit të vënë në dispozicion për mediat theksohet se vëllezërit Çopja i dërgon lekët me Exchenge kur bëhej fjalë për të kryer vrasje, por nuk dihet se si i çonin paratë për ndërtimin e pallateve apo as kush janë personat që menaxhonin paratë e tyre në sektorin e ndërtimit dhe të blerjes së shoqërive të ndryshme tregtare. Megjithatë nga sa u mësua nga ky reagim është e qartë se është goditur një prej grupeve më të fuqishme kriminale që operonte në vendin tonë, të paktën që nga 2016 e këtej.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vijuar hetimet në kuadër të procedimit penal nr.75, të vitit 2022, ku objekt i hetimit ishte veprimtaria kriminale e një organizate kriminale, e cila kishte bazën në qytetin e Elbasanit dhe që drejtohej nga vëllezërit Franc Gergely (ndryshe Franc Çopja) dhe H.B. (ndryshe Hajdar Çopja). Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, si dhe në disa vende të tjera në Evropë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri. Hetimet kanë provuar se kjo organizatë kriminale dallohet për shkallën e veçantë të strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes së saj, qëllimit për kryerjen e disa vepra penale dhe fuqisë së saj financiare. Dyshohet se veprimtaria kriminale e dy vëllezërve, daton rreth viteve 2006–2007, ku fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërndarë në sasi të vogla lëndë narkotike të llojit kokainë. Me kalimin e viteve ata u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e shtrinë/zgjeruan aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Evropës dhe më gjerë. Gjithashtu, me kalimin e viteve u rrit potenciali i tyre ekonomik dhe si rrjedhojë pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi pasi ata krijuan kontakte, të cilat iu dhanë më pas mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve. Për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve (nëpërmjet vrasjeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë.

ATENTATI NË BRADASHESH

Vrasja e trefishtë, ku u vra shtetasi Endrit Alibej, më 29.12.2018, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, provohet përtej dyshimit të arsyeshëm se është kryer nga kjo organizatë kriminale dhe se qëllimi i kësaj vrasje ka të bëjë me konkurrencën për zotërimin e tregut të kokainës. Vrasja e shtetasit Endrit Alibej (eksponent i njohur në trafikimin e kokainës) u pasua me urdhërimin dhe të vrasjeve të disa personave të afërm të shtetasit Endrit Alibej. Në lidhje me pastrimin e parave, nga të dhënat e siguruara nga organi i akuzës, rezulton se kjo organizatë kriminale ka investuar në Shqipëri një pjesë të të ardhurave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës, kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme (nëpërmjet blerjes së pronave të ndryshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

VËLLEZËRIT VRASËS ME PALLATE NË NDËRTIM

Nga kryerja e hetimeve intensive janë përftuar të dhëna me interes në lidhje me pasuritë, investimet dhe pasuritë e dy vëllezërve në Shqipëri, format e përdoruara prej tyre si dhe personat e përfshirë në procesin e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit nga organizata kriminale, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit.

Rezulton se, organizata kriminale ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomik si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mos ekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/fshehje të natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Gjithashtu, evidentohet se, shtetasi Franc Çopja, në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash nëpërmjet përdorimit të zyrave të këmbimit valutor (Exchange) brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar me qëllim, ndërmjet të tjerave edhe kryerjen e pagesës së vrasjeve të porositura si dhe kryerjen e investimeve për llogari të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj. Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e organizatës kriminale, si më poshtë:

Disa fakte penale

Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese” në dëm të viktimave Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasit turk Erdal Duranay, ngjarje e ndodhur më datë 29.12.2018, në orën 21:00, në vendin e quajtur Bradashesh, aksi rrugor Tiranë – Elbasan, në afërsi të restorant Dervishaj;

Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese e shtetasit Klevin Baho dhe plagosja e vëllait të tij shtetasit Aldo (Aleksandër) Baho”, ngjarje e ndodhur më datë 07.2019, ora 00:30, në fshtin Broshkë, Elbasan;

Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese në dëm të viktimave Andi Zylyfi dhe plagosja e shtetasit Ardit Uruçi”, ngjarje e ndodhur më datë 13.12.2019, në fshatin Përparim, Peqin;

Fakti penal “vrasja e shtetasit Klevis Kapllani”, ngjarje e ndodhur më datë 15.09.2020, në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë;

Fakti penal “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, në dëm të shtetasit Kei Piku, ngjarje e ndodhur më datë 16.01.2020, në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, në Elbasan;

Fakti penal “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, në dëm të shtetasit Irfan Azizi, ngjarje e ndodhur më datë 11.2020, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Poshnjes në Urën Vajgurore, Berat.

Fakti Penal “Vjedhja me armë e mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Minella Muçi dhe Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë, ngjarje e ndodhur më datë 23.03.2018, në lagjen 28 nëntori, në Fier;

Fakti Penal “Vjedhja me armë e vlerave monetare” që do transportoheshin me linjën e avionit Tiranë – Vjenë, ngjarje e ndodhur më datë 09.04.2019, në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, Rinas, Tiranë.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.86, datë 29.07.2024, ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale për 33 shtetas. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar në datën 31.07.2024 masat e sigurimit të caktuara ndaj 13 shtetasve ndërkohë që 2 shtetas të tjerë gjenden të arrestuar jashtë Shqipërisë.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës është ushtruar kontroll në 8 ambiente në ndryshme në përfundim të të cilëve është bërë e mundur sekuestrimi i një shume të madhe parash cash, në valuta të ndryshme dhe lekë në një shumë totale mbi 1 000 000 (një milion) euro si dhe prova të tjera materiale që paraqesin interes për hetimin e mëtejshëm. Gjithashtu, në zbatim të vendimit të gjykatës nr. 467, datë 29.07.2024, me objekt “Vendosjen e sekuestros preventive”, janë sekuestruar 42 (dyzet e dy) pasuri, midis të cilave 38 pasuri të paluajtshme, si apartamente, vila, tokë arë, pallat në ndërtim 4 (katër) katesh dhe katër llogari bankare-thotë SPAK!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco