Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Belgët hapën ‘Sky’ për 3.4 mln € në ‘Toyota Yaris’ 14 persona të përfshirë. Hetime dhe për prona në Himarë

Belgët hapën ‘Sky’ për 3.4 mln € në ‘Toyota Yaris’ 14 persona të përfshirë. Hetime dhe për prona në Himarë

11:00, 30/07/2024
A+ Aa A-

Një material i mbërritur në SPAK nga autoritetet Belge, duket se nuk do mbyllet vetëm me arrestimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, pasi emra të tjerë dalin në skenë si të përfshirë në çështjen penale që njihet publikisht si dosja ‘Toyota Yaris’.

Por kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi personat e përfshirë në këtë dosje, dalin në ‘Sky’ dhe si të implikuar në mbylljen e çështjeve penale të tjetërsimit të pronave në Himarë dhe Dhërmi.

Çështja e ‘Toyota Yaris’, nisi fillimisht në Durrës, pas kapjes brenda në makinë të 3.4 milion eurove dhe më pas u transferua për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke u orientuar hetimi për veprën penale të ‘Pastrimit të produkteve të veprës penale’ kryer në formën e ‘Grupit të strukturuar kriminal’.

Paralelisht me Krimet e Rënda në Belgjikë, prokurori Julien Moinil nisi një hetim për të zbuluar fijet e personave Shqiptarë dhe Belgë që ishin përfshirë në transferimin me kamionë nga Belgjika në Shqipëri të 3.4 milion eurove.

Në Belgjikë janë vendosur disa persona nën hetim dhe mes të cilëve mësohet se është marë i pandehur dhe avokati Radovan Çela.

Madje në muajin Shkurt 2022, Moinil mbërriti në Shqipëri për të marrë dëshminë e ish-kreut të PD, Lulzim Basha, si personi që foli i pari për këtë çështje, duke paralajmëruar në parlament se në Shqipëri po futeshin nga Krimi i Organizuar me mbështetjen e Taulant Ballës, plot 4 milion euro.

Por teksa në Shqipëri hetimet u zbehën, rasti në Belgjikë u konsiderua shumë serioz, duke bërë që për këtë çështje së fundmi të hapen dhe verifikohen kodet e aplikacionit ‘Sky’ në Belgjikë.

Deri në këtë fazë të hetimit, Belgët mësohet se kanë zbuluar gati 14 persona si të përfshirë në zbutjen e akuzave për personat e arrestuar në Shqipëri, duke i kërkuar SPAK të veprojë në arrestimin e tyre.

Ditën e diel, SPAK urdhëroi arrestimin e Aurel Zarkës drejtuesin e prokurorisë së Vlorës. Ndërsa u shpallën në kërkim biznesmeni Astrit Vladi dhe ish-oficerja e Krimeve të Rënda, Eriona Daupaj.

Po ashtu me masë sigurimi ‘arrest në burg’ u vendos dhe për avokatin Radovan Çela, i cili veç procesit që ka të hapur në Belgjikë tashmë duhet të përballet me një procedim penal edhe në prokurorinë e posaçme SPAK.

Por siç mësohet nga burime pranë SPAK, kjo dosje nuk ka përfunduar ende, pasi ka dhe persona të tjerë të përfshirë. Burimet thanë se bëhet fjalë për rreth 14 persona, që janë të përfshirë në këtë çështje.

Deri në këktë fazë SPAK nuk ka dhënë asnjë shpjegim dhe sqarim për sistuatën e arrestimit të prokurorit Zarka dhe shpalljes në kërkim të personave të tjerë, duke lënë të hapur mundësinë se operacioni është në vijim e sipër. /OraNews

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco