SYRI TV/ Dalin pamjet e të shtënave në Durrës, shkak dyshohet borxhi

15:46, 23/07/2024
A+ Aa A-

Kanë dalë pamjet e plagosjes së 70 vjeçarit Fadil Hunda disa ditë më parë në Durrës nga 31-vjeçari Adil Hidri. Në pamje duket se fillimisht mes të dyve ka një diskutim, e ku më pas, i riu e qëllon dy herë të moshuarin. Hidri arrestohet në flagrancë teksa ka pretenduar se ngjarja ka ardhur për shkak të një borxhi që i kishte djali i të plagosurit. Por ky i fundit e ka quajtur ngjarjen si pengmarrje dhe nuk pranon ti ketë borxh autorit.

SYRI TV

Këto janë pamjet e rënda të plagosjes me armë zjarri të një 70 vjeçari disa ditë më parë në Durrës për një borxh të të birit. Fadil Hunda thirret nga Adil Hidri që ndodhet në sediljen e parë të një automjeti në rrugë.

Komunikon disa minuta me të, dhe pastaj nga xhami i automjetit teksa Fadil Hunda nis të largohet, pasi dyshohet se ka parë armën e zjarrit në duart e bashkëfolësit, qëllohet në drejtim të të moshuarit, i cili merr plumb në bark.

Me duart në bark i moshuari nisi të vrapojë, por Hidri e ndjek nga pas ku duke e qëlluar edhe një herë tjetër nga pas derisa të dy kalojnë në anën tjetër të rrugës, ku nuk kapen nga kamera e sigurisë.

Një person i veshur me të bardha me borsetë në krah, dhe që raportohet të jetë banor i zonës, shihet që tenton të mbajë autorin, dhe pasi e largon disa herë nga i moshuari, ai rikthehet tek i moshuari. I riu shoqëron të plagosurin që duket në gjendje të rënduar, teksa pas 7 minutash shfaqet policia. I riu ngre duart lart dhe i bindet urdhërit të shoqërimit.

Djali i të plagosurit, Romir Hunda ka hedhur poshtë pretendimet se plagosja u bë për shkak të borxhit që i kishin autorit. Ai ka thënë se ajo ishte pengmarrje, duke shtuar se autori kishte qenë më herët punonjës në biznesin e tyre.

“Ishte pengmarrje jo plagosje për shkak borxhi. Nuk i kemi pasur asnjë borxh autorit. Ai ka qenë në punë te ne, e kemi paguar deri në fund dhe e hoqëm nga puna. Donte të na vinte gjobë neve duke marrë peng babain tonë. Lë drejtësisë ta zbardhi, në të kundërt do e zgjidh vetë”, deklaroi Romir Hunda para hetuesve. 31 vjeçari u arrestua nga policia e qytetit bregdetar për plagosje me dashje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco