SYRI TV/ Tritoli tek motrat Nikolli i kalon SPAK, motrat akuzuan si porositës Nuredin Dumanin

17:00, 22/07/2024
A+ Aa A-

Pak ditë pas shpërthimit të tritolit në derën e banesës së dy motrave Nikolli, të marrë me qera në Elbasan, prokuroria e këtij qyteti shpalli mos kompetencën duke ia kaluar dosjen Prokurorisë së Posaçme. Motrat Alda dhe Xhovana Nikolli pretenduan se shpërthimi që la të plagosur një banor të pafajshëm komshi të tyre, është porositur nga Nuredin Dumani teksa prokuroria e Elbasanit e kishte regjistruar ngjarjen për plagosje të rëndë dhe posedim eksplozivi.

Dosja do t’i bashkohet të njëjtit hetim ku është pjesë edhe i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, me të cilin pretendon Alda Nikolli, kishte krijuar një lidhje intime që zgjati dy muaj. Njohja mes të burgosurit të 313-tës dhe vajzës së re nga Lezha u mundësua nga motra e kësaj të fundit Xhovana Nikollaj, që gjithashtu kishte një lidhje disa vjeçare me një tjetër të arrestuar për krime të rënda, Amarildo Nikolli alias Xhanej.

Dumani dhe Xhanej kanë fituar të dy statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ku i pari hapi kutinë e pandorës për dhjetra atentate duke treguar shënjestra e porositës, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, ndërsa i dyti për atentatin e dështuar ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashaj, ndërsa bashkëautor dhe porositës sipas tij ishte Leonard Zejno i arrestuar me qëllim ekstradimi së fundmi në Spanjë. Lidhur me tritolin e shpërthyer në Elbasan, ende nuk ka autor në pranga apo motiv, teksa Alda Nikolli pretendon se porositës është Nuredin Dumani, që sipas saj ka dhunuar në qeli dhe detyruar të pranojë një borxh prej 400 mijë eurosh, të dashurin e motrës saj, Amarildo Nikollin.

Alda Nikolli ka treguar se ka pasur komunikime prej dy muajsh me të penduarin e drejtësisë, një marrëdhënie që sipas saj përfundoi me kërcënime. Komunikimit bëheshin me Skype ç’ka hapi edhe polemika për trajtimin e diferencuar të të burgosurve, apo përdorim të sendeve të ndaluara. Por nga ana tjetër, ngjarja ka nisur të trajtohet edhe si një tentativë e mundshme që ti hiqet statusi i bashkëpunëtorit Nuredin Dumanit, personazh që goditi me deklarimet e tij persona me mjaft influencë të botës së nëndheshme të krimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco