Shqipëria, magnet për emigrantët nga Lindja dhe tragjeditë e tyre

Shqipëria, magnet për emigrantët nga Lindja dhe tragjeditë e tyre

09:45, 20/07/2024
A+ Aa A-

Shqipëria, me pozicionin e saj strategjik midis Evropës dhe Azisë, është shndërruar në një urë lidhëse për emigrantët që kërkojnë të arrijnë një jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, ky realitet ka sjellë sfida dhe tragjedi të shumta, duke përfshirë aksidentet fatale dhe rritjen e numrit të imigrantëve të jashtëligjshëm. Në një raport të fundit, autoritetet shqiptare zbulojnë të dhëna shqetësuese për numrin në rritje të këtyre emigrantëve dhe përpjekjet për të menaxhuar këtë krizë komplekse, shkruan Dallandyshe Xhaferri në invetigimin e fundit të Albanian Center for Quality Journalism

Teksa kërkonin një jetë më të mirë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, shtatë emigrantë të paligjshëm humbën tragjikisht jetën në Shqipëri. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 2 Prillit, kur automjeti që i transportonte, drejtuar nga një shtetas shqiptar, u përfshi në një aksident fatal në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet. Si pasojë, humbën jetën të tetë personat në automjet. Ky aksident i rëndë tregon njëherazi rreziqet e mëdha me të cilat përballen emigrantët në përpjekjen e tyre për të arritur një jetë më të mirë dhe sfidat e shumta që përshkojnë rrugët e tyre të pasigurta drejt Evropës.

“Drejtuesi i veturës, i cili po i bartte shtatë emigrantë të jashtëligjshëm, e humbi kontrollin mbi timonin dhe doli nga rruga duke rënë buzë lumit Vjosa”,- raportoi muaj më parë Policia e Shtetit. Megjithatë, ata nuk ishin të vetmit emigratë apo imigratë të jashtëligjshëm që kalonin në territorin shqiptar.

Nga të dhënat zyrtare që Ministria e Brendshme ka vendosur në dispozicion të “Sinjalizo” janë me mijëra imigrantët e jashtëligjshëm të identifikuara nga autoritete vendore në vitet e fundit.

Gjatë periudhës janar 2022-janar 2024 nga autoritet vendore janë identifikuar 14 965 imigrantë të jashtëligjshëm në vend. Vetem, gjatë vitit 2022 në vend janë identifikuar 8 335 imigrantë të jashtëligjshëm dhe 6 630 të tjerë gjatë periudhës 1 janar 2023- 1 janar 2024. Kryesisht ata vijnë nga Afganistani, Siria, Iraku, Pakistani dhe Bangladeshi.

Në vitin 2022, pjesa më e madhe e imigrantëve të paligjshëm në Shqipëri ishin sirianë. Sipas Ministrisë së Brendshme, janë identifikuar 3030 imigrantë të paligjshëm sirianë, thënë ndryshe 36% e totalit të imigratëve. Sirianët ndiqen më pas nga imigrantët afganë, 1325, dhe ata me origjinë nga Bangladeshi prej të cilëve janë identifikuara 1055 vetë nga policia.

TË DHËNAT E MARRA NGA MINISTRIA E BRENDSHME

Vitin që lamë pas, 2023 imigrantët e paligjshëm afganë përbënin 24% të totalit të tyre. Konkretisht, në vendin tonë kaluan 1610 shtetas afganë, duke u ndjekur më pas nga 1305 imigrantë siranë.

Pavarësisht se pjesa më e madhe e imigrantëve të identifikuar si të jashtëligjshëm në vend vijnë nga Lindja, gjatë dy viteve të fundit një pjesë e vogël e tyre janë pajisur me leje qëndrimi.

Gjatë katër viteve të fundit kanë marrë leje qëndrimi 15 510 imigrantë, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga shtetet evropiane ose  edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë vitit 2022 kanë marrë leje qëndrimi për të banuar, punuar ose për t’u arsimuar 6 939 shtetas të huaj, 74% e të cilëve (5172 persona) janë me shtetësi italiane, kosovare, turke dhe gjermane. Ndërkohë, kanë marrë leje qëndrimi në Shqipëri 428 shtetas të SHBA-ve dhe të Rusisë. Konkretisht, 251 shtetas amerikanë dhe 177 shtetas të Rusisë.

Gjatë vitit 2022 kanë marrë leje qëndrimi në Shqipëri vetëm 1339 shtetas nga India, Bangladeshi, Nepali, Filipinet dhe Egjipti. Thënë ndryshe, 19% e personave që kanë aplikuar për leje qëndrimi në vendin tonë. Pavarësisht se po në të njëjtin vit, si imigrantë ilegalë janë identifikuar 3030 shtetas sirianë, asnjëri prej tyre nuk ka marrë leje qendrimi në Shqipëri.

Në vitin 2023 numri i shtetasve të huaj që kanë marrë leje qëndrimi në vendin tonë ka njohur rritje duke shkuar në 8571 persona, pjesa më e madhe e të cilëve janë shtetas italianë, të cilët ndiqen nga shtetasit kosovarë numri të cilëve shkon në 1347 persona.

Ashtu si në 2022, edhe gjatë vitit të kaluar pjesa më e madhe e personave të pajisur me leje qëndrimi janë shtetas nga vendet e Evropës, të SHBA-ve ose të Rusisë. Konkretisht, 3728 shtetas të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri janë nga Italia, Kosova dhe Gjermania. Janë 511 shtetas rusë, 299 shtetas amerikanë dhe 1135 shtetas turq që jetojnë dhe zhvillojnë në mënyrë legale veprimtarinë e tyre në Shqipëri, ndërkohë kanë marrë leje qëndrimi në vend 4721 shtetas nga India, Egjipti, Nepali, Filipinet dhe Bangladeshi.

Në një përgjigje zyrtare që Policia e Shtetit ka dhënë për “Sinjalizo” saktëson se imigrantët legalë të cilët nuk kërkojnë azil në Shqipëri kthehen në vendin e origjinës në mënyrë vullnetare, ndërkohë ata që janë identifikuar më shumë se një herë si të tillë kthehen në vendin e origjinës me anë të një urdhri dëbimi nga autoritetet shqiptare.

Numri i azilkërkuesve në Shqipëri ka pësuar rritje gjatë vitit të kaluar, krahasuar me vitin 2022, sipas të dhënave të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Gjatë vitit 2022 janë regjistruar si azilkërkues 125 shtetas të huaj, ndërkohë që në vitin 2023 numri i tyre ka shkuar në 261 persona.

“Azilkërkuesit me origjinë nga Afganistani zënë 61,7 % të azilkërkuesve gjithsej dhe rezultojnë 161 persona”,- bëhet e ditur në një publikim të bërë nga Instituti i Statistatistikave (INSTAT), ndërkohë që janë marrë 14 vendime pozitive për dhënie të statusit të mbrojtjes plotësuese për azilkërkuesit, nga këto raste 5 i përkasin shtetasve me origjinë nga Iraku, 4 i përkasin shtetasve me origjinë nga Afganistani dhe pjesa mbetur i përkasin shtetasve nga Siria dhe Palestina.

SHQIPTARË QË IKIN, IMIGRANTË QË VIJNË

Sipas të dhënave zyrtare nga Departamenti i Kombeve të Bashkuara për Çështjet Ekonomike dhe Sociale (DESA) deri në mes të vitit 2020, në vend jetonin 48,8 mijë migrantë ndërkombëtarë,që përfaqësojnë 1,7% të popullsisë së përgjithshme të vendit.

Numri i shtetasve të huaj që janë pajisur me shtetësi shqiptare është rritur ndër vite. Krahas imigrantëve që e shohin Shqipërinë si mundësi për të jetuar ose për të kaluar në Evropë, vendasit po heqin dorë nga shtetësia shqiptare.

Gjatë periudhës 5-vjeçare 2017-2021 rezulton se numri i shtetasve shqiptarë që kanë hequr dorë nga shetësia shqiptare është më i lartë se ai i shtetasve të huaj që janë pajisur me pasaportë shqiptare.

Gjatë këtij harku kohor kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare 3269 shtetas shqiptarë, ndërkohë që kanë marrë shtetësinë  2 280 shtetas të huaj, sipas INSTAT.

Në vitin 2023, 870 persona kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare, duke shënuar një rritje prej 20,7% krahasuar me vitin 2022. Nga këto të dhëna, vihet re një dominim i femrave, të cilat përbëjnë 53,2% të atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare, në krahasim me 46,8% të meshkujve.

Sipas të dhënave zyrtare që Presidenca ka vendosur në dispozicion të “Sinjalizo” rezulton se gjatë vitit 2022 janë miratuar 27 dekrete për fitim shtetësie, për 447 shtetas të huaj dhe gjatë vitit 2023 janë miratuar 82 dekrete për fitim shtetësie, për 331 shtetas. Sipas vendit të origjinës të personave që kanë fituar shtetësinë shqiptare vërehet se 74,7 % e përbëjnë ato me origjinë nga Kosova, 7,2 % me origjinë nga Turqia dhe 4,1 % me origjinë nga Siria.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, nga Shqipëria janë larguar kryesisht grupmoshat që përbëjnë pjesën më të rëndësishme të “kahun e punës”. 45.2% e personave që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare i përkasin grupmosësh 30-39 vjeçare, duke u ndjekur nga grupmosha 20-29 vjeç dhe 40-49 vjeç respektivisht me 20,7 % dhe 19,5 %.

“Gjatë 2023, 30,3 % e personave që kanë fituar shtetësinë Shqiptare i përkasin grup-moshës 30-39 vjeç, e ndjekur nga grup-mosha 40-49 vjeç dhe 20-29 vjeç, respektivisht me 24,0 % dhe 16,2%”, bëhet e ditur më tej në studimin e INSTAT.

Numri i lartë i shtetasve shqiptarë që heqin dorë nga shtetësia është një tregues i dinamikës komplekse të emigracionit dhe imigracionit në vend. Këto zhvillime kërkojnë vëmendje të vazhdueshme dhe veprime të koordinuara që Shqipëria të jetë një vend i sigurt dhe mikpritës për të gjithë vendasit dhe imigrantët./www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco