Do vetëflijohej bashkë me 4 fëmijët, flet gjyshja: Burri e ka dhunuar, i ka drejtuar armën, vajza e ka denoncuar, por asnjë masë nuk u mor

Do vetëflijohej bashkë me 4 fëmijët, flet gjyshja: Burri e ka dhunuar, i ka drejtuar armën, vajza e ka denoncuar, por asnjë masë nuk u mor

14:34, 18/07/2024
A+ Aa A-

Nëna e gruas 27-vjeçare që ditën e djeshme tentoi të hidhej nga ura mbi lumin Buna, ka folur duke treguar se e bija ndodhej në gjendje të rëndë psikologjike.

Në një intervistë, ajo thotë se vajza është në një proces divorci me bashkëshortin e saj prej 9 vitesh. Pak para se të nisej drejt urës së Bunës bashkë me fëmijët, nëna tregon se i ka dërguar një mesazh duke i treguar se ishte afër një lulishteje.

“Po bënim një diskutim me vajzën sepse donte të bënte një aplikim në e-albania tek bashkia Shkodër për strehim, por më tha se nuk kam lekë. I thashë t’i japë unë. Në diskutim e sipër mori fëmijët dhe doli jashtë. Këtë gjë e ka bërë disa herë. Pas pak kohësh na dërgoi një audio mesazh dhe tha se jam te ura e Bunës. Në atë moment njoftuan policinë, erdhën menjëherë dhe arritëm ta gjejmë”, tregon ajo.

Nëna e 27-vjeçares thotë se e bija dhe fëmijët e vegjël më i madhi 7-vjeç, janë dhunuar nga burri për një kohë të gjatë pasi ai kishte një lidhje tjetër jashtëmartesore.

“Vajza ka ikur nga shtëpia sepse bashkëshorti i saj kishte një lidhje të dytë me një grua tjetër edhe ajo me katër fëmijë. E ka kërcënuar disa herë vajzën time dhe e ka lënë të vetme me 4 fëmijë duke i thënë dil nga shtëpia. Madje e ka kërcënuar edhe me armë para disa muajsh. Vajza e ka denoncuar por nuk është marrë asnjë masë. Bashkëshorti ka dhunuar fëmijët dhe ka ushtruar edhe dhunë psikologjike ndaj vajzës time. Kjo histori vijon prej vitesh. Shteti është në dijeni të gjithë kësaj historie por gjithë këto vite nuk kanë bërë asgjë”.

Gjyshja e fëmijëve kërkon marrjen e masave nga policia për të ndaluar dhëndrin, i cili sipas saj është shkaktar i të gjithë kësaj drame.

“Ne duam që bashkëshorti i saj të ndalohet nga policia për gjitha ato që i ka bërë vajzës gjithë këto vite. I ka drejtuar armën, e ka kërcënuar, ka dhunuar fëmijët, e ka dhunuar psikologjikisht vajzën dhe gjithë kohën vetëm me mashtrime e probleme pa dashur t’ia dijë as për vajzën as për familjen. Nuk e kuptoj pse është ende i lirë me gjithë çfarë ka bërë”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco