Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, falin namazin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, falin namazin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’

07:12, 16/06/2024
A+ Aa A-

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën, por edhe në Shqipëri kremtojnë sot Kurban Bajramin.

Mijëra besimtarë shqiptarë u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur Namazin.

Ritin e faljes së Kurban Bajramit besimtarët shqiptarë e kryen edhe në xhamitë e qyteteve kryesore të vendit.

Pas urimit për festën, në ligjërimet e tyre ata kërkojnë më shumë paqe dhe harmoni, virtyte të cilat janë mishëruar më së miri deri më tani.

Për nder të kësaj feste, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uroi të gjithë shqiptarët, ndërsa u lut për më shumë paqe e harmoni.

Urimeve për besimtarët muslimanë i bashkohet edhe stafi i “Ora News”.

“Në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare. Gëzuar!”.

Kurban Bajrami në Shqipëri

Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes.

Kremtimi i kësaj dite siç është bërë traditë fillon në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falin namazin.
Sipas fesë myslimane, për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit.

Familja që e ther mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra. Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet.

Në çdo familje myslimane gatuhen ëmbëlsira, të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët, si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.

Vite më parë, kur besimi fetar ishte i ndaluar në Shqipëri, ritet fetare, kremtoheshin fshehurazi. Ndonëse pa bujë shume familje tradicionale, shqiptarët i kushtonin një fond të veçantë kremtimit të kësaj feste. Kurban Bajrami, tashmë një ditë feste zyrtare, kremtohet prej vitesh nga të gjithë shqiptarët, pa harruar këtu devotshmërinë e besimtarëve myslimanë në këtë ditë, e cila shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zotit, në emër të dashurisë për njeriun.

Kuptimi i Festës

Festa e Kurban Bajramit është një nga dy festat më të rëndësishme të besimtarëve muslimanë: Fiter Bajramin dhe Kurban Bajramin.

Kjo e fundit, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij, Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.

Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramë, që do të thotë “Festa e Flijimit”.

Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.

Po ta përmbledhim me pak fjalë Kurban Bajrami është festa e mposhtjes së egos sonë, mposhtjen e nepsit që gjithmonë kërkon të jetë para.

Ushqimet për Kurban Bajramin

Sigurisht përbërësi kryesor që zë vend në tavolinën e festës së Kurban Bajramit është mishi i therur për këtë festë.
Mishi nga kafsha e flijuar, ndahet në tre pjesë: Familja mban një të tretën; një e treta tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa një e treta e mbetur u ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Zakonisht për këtë festë një nga pjatat që nuk mungon është supa. Supë e thjeshtë me lëng mishi, vezë, limon, pak miell dhe erëza.
Byrek me barishte ose vezë dhe djathë, ose vezë me kos, sigurisht mishi nuk mungon asnjëherë në tavolinën e kësaj feste.

I pjekur në furrë me patate ose thjesht i gatuar për t’u vendosur në anë të pjatës me orizin e gatuar.
Sallatat e çdo tipi, me perime të gatuara, të freskëta etj.

Së fundmi në “modë” janë futur dhe gatimet e prodhimeve të detit. Lëreni fantazinë t’ju udhëheqë në kuzhinë.
Ndërsa ëmbëlsirat më të preferuara janë sigurisht ato tipike turke: bakllavaja, revanija, shëndetlia, sheqerparet, por sigurisht mund ta kaloni gëzuar dhe me ndonjë tortë të blerë apo ëmbëlsirën që preferoni.

Duhet të keni parasysh që në tavolinën e Kurban Bajramit nuk duhet të ketë asnjë gatim me mish derri dhe asnjë pikë alkol.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco