Lajmi i fundit

Gjyqtarja Irena Gjoka mungon pa motiv, shtyhet seanca ndaj Fatmir Mediut

SYRI TV/ Sherr midis të rinjve në Fier, një viktimë

14:48, 11/03/2024
A+ Aa A-

Një konflikt i nisur për një vajzë në rrjetet sociale, përfundoi me vrasjen e një 19-vjeçari dhe plagosjen e një tjetri në Fier. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së hënës, ku Florian Muka qëlloi me thikë duke i marrë jetën bashkëmoshatarit të tij, Grei Bihuçi. I plagosur mbeti dhe 19-vjeçari Olsi Serjani, i cili ndërhyri për të shuar gjakrat mes dy të rinjve. Autori i ngjarjes u arrestua nga policia, ndërsa shkak i ngjarjes dyshohet se u bë pëlqimi për një vajzë në rrjetet sociale.

Nga SYRI TV

Grei Bihuçi 19-vjeç mbeti viktimë ndërsa Olsi Serjani, gjithashtu 19-vjeç u plagos rreth mesditës të së hënës në Fier, pas një konflikti për motive të dobëta. 19-vjeçari ka pasur një konflikt me 18-vjeçarin Florian Muka, duke u përplasur mes tyre në qendër të qytetit të Fierit. Shkak i konfliktit, ka qenë komentet në rrjetet sociale në profilin e një vajze, që duket se dy të rinjtë kanë pasur njohje.

Rreth orës 11:35 minuta të së hënës, Florian Muka dhe Grei Bihuçi, janë takuar në sheshin kryesor të qytetit, ku kanë pasur fillimisht debate verbale mes tyre. Më pas, Florian Muka, ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar 19-vjeçarin. Plagët e thikës i kanë shkaktuar gjakderdhje të madhe 19-vjeçarit, i cili edhe pse u dërgua në spital i plagosur, nuk mundi të mbijetonte.

I plagosur mbeti dhe Olsi Serjani, i cili sipas policisë, kishte ndërhyrë për të shuar konfliktin mes dy të rinjve. Fatmirësisht, Olsi Serjani është jashtë rrezikut për jetën.

Pak minuta pas ngjarjes, policia arrestoi 18-vjeçarin Florian Muka, autorin e vrasjes së bashkëmoshatarit të tij.

Viktima e këtij konflikti, 19-vjeçari Grei Bihuçi ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota”, ndërsa pasditeve punonte si kamarier.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco