VIDEO/ E reja me sëmundjen e rrallë, kërkon ndihmë për kryerjen e dy operacioneve

22:32, 01/03/2024
A+ Aa A-

Lavdije Tozaj, 28 vjeçe nga qyteti i Vlorës, që në fëmijërinë e hershme është diagnostikuar me një sëmundje të quajtur spina bifida. Kjo është një anomali që shfaqet kur në një fetus shtylla kurrizore nuk mbyllet plotësisht dhe si pasojë e kësaj palca e kurrizit del nga kanali i shtyllës kurrizore, duke sjellë kështu dëmtime të nervave.

Lavdija ka lindur me një masë në fund të shtyllës kurrizore, që sot ka arritur përmasa të paimagjinueshme. Kjo masë dhe vetë sëmundja nuk e lejojnë të bëj një jetë normale, ndaj e reja ka nevojë për dy operacione në mënyrë emergjente.

‘Kam një masë në shtyllën kurrizore. Prindërit e mi mësuan që sëmundja e kishte emrin spina bifida kur më çuan për vizitë në spitalin e Tiranës isha 28 ditëshe. Puçrra më rridhte dhe doktori tha që nuk jeton shumë, por çojeni në shtëpi, sepse do ju vdesë në Tiranë. Pas kësaj kohe nuk kam kryer më kontrolle, me idenë që nuk bëhej më gjë. Kur isha e vogël, ecja anës divanit deri 3 vjeç. Pastaj m’u shtrembëruan këmbët, nuk kisha më fuqi. Masa në kurriz ka qenë shumë e vogël në fillim, jam rritur unë, është rritur edhe ajo. Nuk fle dot, fle përmbys dhe ndonjëherë më dhemb mesi’, tregon Lavdija për ‘Piranjat’.

Kita Sallabanda Diaz, mjeku që e ka ndjekur Lavdijen që në fëmijëri sqaron se për çfarë ndërhyrjesh ka nevojë e reja.

‘Shumë fëmijë nuk i rezistojnë kësaj sëmundjeje, por ajo i ka rezistuar dhe në të vërtetë unë u preka kur e pashë pas shumë viteve. Kur e pashë i thashë meqë ti ke rezistuar gjatë lëtyre 28 viteve dhe nuk ke humbur jetën, ajo që ne mund të bëjmë është që nga pikëpamja estetike të heqim ksitin që ke nga mbrapa dhe në të njëjtën kohë, meqë ti ke shumë lëng në kokë, të vendosim një valvul në kokë, që të mund të shkarkojmë lëngun e tepërt që ke në bark. Ndërhyrja për të ecur në këmbë do të bëhet në një fazë të dytë, sepse duhet të shikojmë njëherë se si do të shkojë faza e parë’, shprehet mjeku Kita Sallabanda Diaz.

Këto dy operacione, heqja e kistit dhe vendosja e valvulës në kokë, kushtojnë 10 mijë euro. Këtë shumë Lavdija dhe familja e saj nuk mund ta sigurojnë, ndaj e reja nga Vlora kërkon sot ndihmën e të gjithëve ne.

‘Vetëm babi punon, shofer. Mami nuk punon se kujdeset për mua. Unë dhe mami si kujdestare e imja, marrim në total 400 mijë lekë të vjetra. Babi një rrogë qesharake ka, 300 mijë lekë të vjetra në punë. Me këto të ardhura që kemi nuk kemi mundësinë që të heqim dy lekë për operimin. Unë dua që të kem mundësi që të lëvizë vetë, mos të kem nevojë për ndihmën e ndonjërit për gjërat e mia’, thotë Lavdija gjatë thirrjes së saj për ndihmë.

Kushdo që e ka mundësinë, mund të ndihmojë me një kontribut sado minimal në GoFundMe, për t’i dhënë Lavidjes një shans për të nisur një jetë të re.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco