Të tjera detaje janë bërë publike për shtetasin Andrew Bode, i cili është shpallur në kërkim si ekzekutori i biznesmenit Edmond Papa.
Sipas burimeve për mediat, 44 vjeçari, i cili më herët ka përdorur dhe emrin Edvin, ka lindur në Berat dhe është banues në Tiranë, si dhe aktivitetin e biznesit e kishte në Korçë.
Policia dyshon se ai mund të jetë larguar jashtë vendit, ilegalisht pasi në sistemin TIMS nuk figuron që të ketë dalë në ndonjë nga pikat e kalimit kufitar.
44 vjeçari njihet edhe si Edvin Bode, emër të cilin e ka ndërruar disa vite më parë. Bode është biznesmen në qytetin e Korçës pasi ka në pronësi një kompani që merret me import dhe eksport, tregtim me shumicë dhe me pakicë të ujit të pijshëm, depozitimin dhe transportin e ujit të pijshëm dhe pijeve të tjera joalkoolike.
Në këtë ngjarje, Bode dyshohet është ndihmuar nga Albano Velo.
Policia dyshon se krimi mund të ketë lidhje me vrasjen e Aleksandër Sadikajt në atentatin me tritol të qershorit të vitit 2022 në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut.
Bode dhe Velo rezultojnë të kenë njohje me Sadikajn, por nuk është ende e qartë lidhja apo konflikti që mund të kenë pasur Sadikaj dhe Papa me njëri–tjetrin.
Policia nuk përjashton edhe mundësinë që ata të jenë paguar për vrasjen e biznesmenit.
Albano Velo u arrestua më 1 janar në Rinas, si porositës i vrasjes së Edmond Papës, por ai mohon përfshirjen në ngjarje.
Edmond Papa u ekzekutua me 9 plumba në një lokal në rrugën ‘Fadil Bodinaku’ pasdite e 16 dhjetorit.
Menjëherë u dërgua në spitalin e Traumës, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
© SYRI.net