Detajet e krimit mizor/ Ky është 89-vjeçari që u masakrua nga grabitësit

Detajet e krimit mizor/ Ky është 89-vjeçari që u masakrua nga grabitësit

10:30, 21/11/2022
A+ Aa A-

Një ngjarje e rëndë u regjistrua në fshatin Klos të Mallakastrës, ku një i moshuar u dhunua barbarisht nga dy grabitës të armatosur që hynë në banesën e tij me qëllim për të vjedhur paratë.

Ngjarja është regjistruar mëngjesin e së shtunës, ku persona të armatosur hynë në banesën e shtetasit Çaush Shehaj, 89 vjeç. Pasi e kanë dhunuar të moshuarin, autorët u larguan prej andej me një shumë parash. Burri i moshuar u dërgua me urgjencë për në Spitalin rajonal të Fierit, duke përfunduar në reanimacion për shkak të gjendjes së rënduar. Por, një ditë më vonë, pra gjatë ditës së diel, Shehaj ka gjetur vdekjen duke mos arritur t’i mbijetonte plagëve të marra.

E besueshme ose jo, 89-vjeçari, Çaush Shehaj, është masakruar për një shumë të vogël parash që autorët kanë marrë nga banesa e tij. Në shtëpinë e të moshuarit tanimë të ndjerë, janë grabitur 50 mijë lekë të vjetra, për të cilat Shehaj u godit me sende të forta.

Pas ngjarjes së rëndë, forcat e rendit kanë nisur hetimet dhe kanë identifikuar autorin e vrasjes së të moshuarit. Në pranga përfunduan Musa Gudo. 28 vjeç, dhe Ervis Halimi, 22 vjeç, të cilët nën kërcënimin e automatikut, i kanë marrë një shumë parash brenda banesës së të ndjerit. Lidhur me ngjarjen, policia procedoi penalisht edhe 16-vjeçarin F.Ç, i cili akuzohet për “moskallëzim krimi”.

Fillimisht, ndaj të rinjve rëndonte akuza e “vjedhjes me dhunë” e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajt ja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, por pas vdekjes së të moshuarit gjatë së dielës në Spitalin e Fierit, Policia ka riklasifikuar veprën penale ndaj dy autorëve, duke i akuzuar ata për “vjedhje me pasojë vdekjen”.

Ky është rasti i dytë që familja Shehaj në fshatin Klos të Mallakastrës bie pre e grabitjes, por kësaj here, ishte fatale për të moshuarin, i cili mbylli jetën e tij në rrethana barbare. Vjedhja e parë ka ndodhur më datë 18 mars të vitit 2021.

Një i afërm i viktimës, ka deklaruar se Çaush Shehaj ishte grabitur edhe herë të tjera, ndërsa gjatë grabitjes së të shtunës, autorët e kanë masakruar atë. Ai tregon gjithashtu dramën në familjen Shehaj, të cilët jetonin të vetëm, ndërsa kishin sjellë në jetë 4 fëmijë. I afërmi deklaron se trupi i të ndjerit është masakruar.

“Jetonte me gruan, kishte probleme me gruan, sepse ishte me sklerozë dhe jetonin bashkë në kushte jo shumë të favorshme. Ata jetonin vetëm, i kishin vajtur një javë përpara për t’i vjedhur, kjo ishte hera e dytë, Policia nuk mori masa, punoi tërë jetën e tij dhe mblodhi 5 lekë dhe ato 5 lekë ia morën dhe dhunë. Ata mendonin për lekë të madh, po ai i kishte lekët në bankë, ka 4 fëmijë, 3 në Greqi dhe 1 në Francë. Jemi indinjuar, por shteti nëse ka shtet e ligje, të të vrasin në shtëpinë tënde. E kanë vrarë në 2 të natës lakuriq, e kanë shëmtuar masakruar nga fytyra, e brinja, nuk i duket mishi fare”, tregon i afërmi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco