4 sulme në 5 javë/ Policët e Shkodrës nën kërcënimin e tritolit dhe zjarrvënies

4 sulme në 5 javë/ Policët e Shkodrës nën kërcënimin e tritolit dhe zjarrvënies

16:21, 02/06/2022
A+ Aa A-

Banesa e efektivit të Policisë së  Shkodrës, Pëllumb Vukaj, u bë objekt sulmi me lëndë plasëse mëngjesin e kësaj të enjte, duke shkaktuar panik tek familjarët  e tij që ndodheshin të gjithë në banesë.

Ky është rasti i katërt i sulmit ndaj pronës së një efektivi të kësaj drejtorie në harkun kohor të pesë javëve. 

Në 20 maj, një sasi tritoli u vendos në biznesin e punonjësit të Policisë së Shkodrës, Ndrek Rrasa, ndërsa autori u kujdes t'i digjte edhe furgonin e parkuar para lokalit.

Rrasa u shpreh se dyshimet i ka tek dekonspirimi i aksioneve antikanabis ku ai ka marrë pjesë në shkatërrimin e parcelave të kanabisit.  

Në 14 maj, objekti  i zjarrvënies do ishte mjeti i efektivit të Policisë së Shkodrës,  Sokol Kroni, që ishte parkuar pranë banesës së tij në lagjen “Tre Heronjtë”. Skema është e njëjtë, madje autorët kujdesen që krimin ta kryejnë edhe para kamerave të sigurisë. 

Mbrëmjen e 27 prillit në Shkodër do të digjej vetura e punonjësit të policisë Dritan Turhani. 

Asnjë nga rastet e regjistruara në harkun kohor të 5 javëve, nuk është zbardhur nga autoritetet. 

Asnjë drejtues madhor i Policisë së Shtetit nuk ka zbarkuar në Shkodër për këto çështje e së paku për të bërë transparencë për publikun dhe për t'i siguruar këta efektivë policie se shteti do garantojë mbrojtjen e tyre. 

Kur kërcënohen hapur efektivët e armatës në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, që ka në gjirin e saj ndër specialistët më të aftë në Shqipëri, është sinjal i fortë së në drejtoritë e qarqeve të tjera panorama është edhe më e zymtë, ndonëse deri tani nuk është raportuar për akte konkrete.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco