‘Gruaja shtatzënë ulërinte mbi të shoqin’/ Dëshmitarja rrëfen tronditjen nga atentati mafioz në ‘Don Bosko’

‘Gruaja shtatzënë ulërinte mbi të shoqin’/ Dëshmitarja rrëfen tronditjen nga atentati mafioz në ‘Don Bosko’

19:21, 06/01/2022
A+ Aa A-

Lokali në rrugën “Don Bosko” ka marrë tjetër pamje pas atentatit mafioz, ku kalimtarët nxitojnë hapat, sapo kalojnë para tij.

Frika e atentatit të ditës së martë, ku katër persona u plagosën dhe i pesti në tavolinë me ta ndërroi jetë menjëherë, i ka traumatizuar frekuentuesit e këtij bari.

Por ky biznes, që sipas menaxherit të tij, rrezikon të dështojë. “Nuk ulet më askush, ishte lokal që qëndronte plot nga banorët e lagjes. Tani janë të frikësuar nga kjo që ndodhi”, – thotë nëpër dhëmbë i riu, D.Lika.

Duke kujtuar klientelën e përditshme, i riu këmbëngul se kjo ngjarje i ka tronditur të gjithë në zonë.

Ai e njihte viktimën Erjon Çela që ulej si klient i përditshëm, ashtu si edhe të tjerët.

Nga të dhënat Erjon Çela e hapi biznesin tip tabakino, duke e regjistruar në QKB në 25 maj 2021 me aktivitetin e duhanshitjes.

I regjistruar si biznes me emrin tjetër, Adriatik Çela, ai prej majit e frekuentonte hapur dhe pa probleme dhe pa u ruajtur nga asnjë, zonën ku kishte biznesin ai dhe pak metra më tej e shoqja.

“Ishin çift që nuk ndaheshin, ajo hapi një qendër estetike në brendësi të pallateve dhe nuk ngjanin të kishin probleme”, – kujton Lavdia, një grua nga Dibra, e cila kur e pa vajzën shtatzënë duke qarë mbi trupin e të shoqit, fillimisht kujtoi se ishte plagosur edhe ajo.

“Nuk mund ta harroj, ajo ulërinte mbi të shoqin dhe e kam mbajtur duke i hedhur ujë të ftohtë e ç’ka munda”, – thotë gruaja (emri i të cilës është i ndryshuar).

Banorët që jetojnë në apartamentet ngjitur me lokalin ku ndodhi masakra me armë automatike, që i mori jetën një personi dhe dy të tjerë janë në gjendje kritike për jetën, me dy të tjerë janë në gjendje më të lehtë, falënderojnë Zotin që kanë shpëtuar pa u prekur nga plumbat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco