Kosovë: Halimi i arrestuar sot për Brezovicën, qe shpallur i pafajshëm për Sharrin

Kosovë: Halimi i arrestuar sot për Brezovicën, qe shpallur i pafajshëm për Sharrin

12:49, 06/01/2022
A+ Aa A-

Prishtinë - I arrestuari i sotëm në kuadër të aksionit “Brezovica”në Kosovë, kryeinspektori Bedri Halimi, vitin e kaluar së bashku me katër inspektorë të Komunës së Prizrenit, konkretisht me Enver Bytyqin, Nexhmedin Musliun, Bashkim Krasniqin dhe Ruzhdi Dakën, ishin liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Demokracia.com.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 18 nëntor 2019 ndaj Bedri Halimit, ku akuzohej se duke punuar si Kryeinspektor i Inspektoratit të MMPHI-së, kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i kishte kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me Vendimin e Ministrit të MMPHI-së, Nr.34/13, të datës 15.11.2013, me të cilin urdhërohej rrënimi i objekteve pa leje brenda Planit Rregullues Urban në këtë park, në atë mënyrë që edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza, atë nuk e ka përmbushur.

Sipas aktakuzës, në fazën e parë ishin rrënuar 180 objekte, ndërsa në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim ishin zbatuar vetëm 20, duke mbetur edhe 8 vendime të pazbatuara.

Sipas prokurorisë, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim, 16 ishin revokuar dhe 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara. Ndërkaq, faza e katërt fare nuk ishte implementuar, ashtu që nga data 14.12.2013 nuk ishte zbatuar asnjë prej vendimeve edhe pse të njëjtat janë ende në fuqi.

Ndërkaq, katër të akuzuarit tjerë, inspektorët Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka, akuzoheshin se si inspektorë të ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, kanë qenë përgjegjës për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Kombëtar, në periudhën kohore nga 22 qershor 2006 e deri më datën 3 maj 2013, kur MMPHI-ja me vendimin M.Nr.1498/13 kishte urdhëruar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në zonën e Prevallës.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të njëjtit me dashje nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare konform Ligjit për Ndërtim Nr. 2004/15, duke mos e bërë mbikëqyrjen inspektuese të ndërtimeve dhe duke mos e urdhëruar pezullimin e ndërtimit, pa i iniciuar procedurat e parapara me ligj, ashtu që gjatë këtyre viteve kishin lejuar ndërtimin e disa qindra objekteve pa leje, duke reaguar vetëm në disa raste.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendonte se në këtë mënyrë ata e kanë shkaktuar degradimin e mjedisit në masë të madhe

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco