Misteri i makinës që u gjet e djegur! Autorët, dyshohet vrasës me pagesë, një automjet tjetër largoi...

Misteri i makinës që u gjet e djegur! Autorët, dyshohet vrasës me pagesë, një automjet tjetër largoi...

10:08, 15/11/2021
A+ Aa A-

Atentati i së shtunës, gjatë të cilit mbetën të vdekur Erigers Mihasi dhe Armand Dummani, dyshohet të jetë kryer nga vrasës me pagesë. Ekspertët e Laboratorit të Kriminalistikës kanë nisur ekspertimin balistik të armëve të gjetura në makinën e djegur në Thumanë.

Burime nga grupi hetimor thanë se, ka dyshime që në vrasje është përdorur edhe një automjet tjetër për ka larguar autorët nga Thumana, ku u gjet e djegur mjeti me targa të vjedhura, ku ndodheshin edhe dy automatikët. Policia ka shoqëruar disa persona, kryesisht lidhje të dy viktimave, por edhe persona që mund të kenë dijeni për krimin. Ndërkohë që dyshohet se ka pasur edhe persona të tjerë të përfshirë në rolin e vëzhguesve.

Policia po heton intensivisht për zbardhjen e krimit të dyfishtë që ndodhi dje në zonën e “Astirit”, në Tiranë, ndërsa pista kryesore është ajo e së kaluarës së dy viktimave, të cilët rezultojnë persona me të shkruar kriminale dhe të përfshirë në disa krime.

Dinamika

Burime nga grupi hetimor thanë dje se autorët e vrasjes së dyfishtë në zonën e “Astirit” në Tiranë mendohet se i kanë ndjekur viktimat gjatë gjithë ditës së shtunë, duke vëzhguar të gjitha lëvizjet që kanë kryer pasdite. Të njëjtat burime thanë se objektiv i atentatit ka qenë 32-vjeçari Erigers Mihasi, i konsideruar nga Policia me precedentë të theksuar kriminal.

Makina tip “Toyota”, me targa të vjedhura, i është afruar paralel automjetit luksoz që drejtonte Erigers Mihasit, në sediljen e parë të së cilës ishte miku i tij Armand Dumani. Vetëm pak metra para se ata të ktheheshin për në lagjet e “Astirit”, kanë qëlluar me breshëri në drejtim të tyre. Autorët kanë vazhduar rrugën në drejtim të ish-sheshit “Shqiponja”.

Burimet thonë se ndjekja dyshohet të ketë filluar që në degëzimin e mbikalimit pranë “Pallatit me Shigjeta” deri në zonën e njohur si “2 Rrathët” në “Astir”. Plumbat kanë kapur fillimisht makinën në derën e dytë dhe më pas janë përqendruar në xhamin e derës së parë nga ana e pasagjerit ku ishte Armand Dumani, të cilat kanë qenë fatale për dy rinjtë. Mbetjet e xhamave të makinës tip “Audi” vazhdonin të ishin në vendngjarje deri mesditën e kësaj të diele.

Makina e gjetur e djegur në Thumanë rezulton të jetë vjedhur jashtë vendit, ashtu si edhe targat, të cilat rezultojnë se janë vjedhur në Tiranë gjatë muajit korrik. Kjo e bën grupin hetimor të dyshojë se atentati ka qenë përgatitur që në verë. Ndërsa automjeti mësohet se ishte vjedhur në Greqi.

Pamjet e Kamerave

Grupi hetimor po këqyr të gjitha pamjet filmike të përftuara nga dhjetëra kamera sigurie në disa rrugë ku ka kaluar makina e atentatorëve. Kamerat e sigurisë në aksin e Unazës së Re kanë ndihmuar oficerët e Policisë që të identifikojnë automjetin e djegur të autorëve të dyshuar në atentatin. Burimet thanë se dy kamerat, të cilat kanë fiksuar momentin teksa mjeti “Audi A7” i bardhë, që drejtohej nga Mihasi dhe ku ishte pasagjer shoku i tij, vjen nga zona e “Pallatit me Shigjeta” dhe ul shpejtësinë për t’u futur në të majtë në kthesën drejt Yrshekut mbi urën e nënkalimit.

Ndërsa nga pas tyre vjen një automjet “Toyota”, që ka rezultuar i vjedhur në Greqi dhe po ashtu me targat “AA 532 ON” të vjedhura në 2 korrik në Tiranë. Ky mjet sipas rindërtimit të skenës së krimit pa ndaluar në asnjë moment, hap zjarr nga sedilja e pasme e pasagjerit duke lënë të vdekur në vend Mihasin dhe Dumanin. Mbi 20 plumba kallashnikovi janë shkrepur ndaj dy të rinjve, ndërsa mjeti i viktimave ka qenë në lëvizje dhe ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën dhe shtyllën e ndriçimit në rrugë.

Njoftimi i Policisë së Tiranës

“Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur te ‘2 rrathët’, në Unazë të Re, ju bëjmë me dije se: Grupi hetimor ka bërë identifikimin e dy personave që kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri, drejtuesi i mjetit shtetasi E. M., 32 vjeç dhe pasagjeri shtetasi A. D., 26 vjeç. Ndërkohë në Thumanë është gjetur një automjeti tip ‘Toyota’ duke u djegur dhe dyshohet se është automjeti që kanë përdorur autorët e ngjarjes. Targat e mjetit të djegur rezultojnë të vjedhura në Tiranë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e ngjarjes si dhe grumbullimin e provave që çojnë në identifikimin e autorëve të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

U vra në atentat me shokun, 32-vjeçari po frekuentonte xhaminë

Erigers Mihasi, 32-vjeçari që u vra të shtunën në një atentat tek “Astiri” bashkë me shokun e tij Armando Dumani, kishte filluar të frekuentonte xhaminë duke lënë pas të kaluarën e tij të errët. Ky detaj zbulohet nga një postim për të ndjerin në “Facebook”, ku thuhet se së fundi Mihasi i ishte kthyer rrugës së Zotit me sa duket, duke u bërë besimtar i devotshëm. Ndërkaq, jepen detaje dhe për ceremoninë mortore për 32-vjeçarin, i cili do të përcillet sot në banesën e fundit sipas riteve myslimane.

“Të Zotit jemi dhe vetëm tek Ai një ditë padyshim do të kthehemi! Mbrëmë ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të tij Erigers Mihasi, i cili u vra në një atentat tek ‘Astiri’ bashkë me shokun e tij. Erigersi sapo kishte filluar të frekuentonte xhaminë duke iu kthyer rrugës së Zotit dhe duke lënë pas tij të kaluarën e errët, mirëpo deshi Allahu ta merrte nga kjo botë. Namazi i Xhenazes do të falet sot në varrezat e Sharrës në orën 14:30. ‘Të gjithë njerëzit janë gabimtarë, po më i miri prej tyre është ai që pendohet te Zoti i tij’. Zoti ia pastë pranuar sakrificën për t’iu kthyer rrugës së mbarë, Zoti iu dhëntë durim familjarëve të tij”, thuhet në postimin e bërë nga faqja “Xhamitë e Tiranës”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco