Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Vrasja e biznesmenit/ '200 mijë euro për të djegur makinat e Salillarit'

Vrasja e biznesmenit/ '200 mijë euro për të djegur makinat e Salillarit'

10:34, 09/11/2021
A+ Aa A-

Ndonëse Policia ka dy autorë të dyshuar, që janë arrestuar për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit 43- vjeçar Ruzhdi Hoxha, motivet e krimit janë ende duke u hetuar. Në dëshminë që ka dhënë në Polici, 3 ditë pas zhdukjes së të atit, djali i tij, E. Hoxha ka deklaruar se në fillim të tetorit, babai i tij dhe një person tjetër kishin marrë përsipër të digjnin makinat e firmës “Salillari” kundrejt një pagese prej 200 mijë eurosh, por kjo punë nuk ishte kryer.

Sipas “News 24”, djali ka dhënë informacione të shumta për aktivitetin e të atit, si dhe njerëzit me të cilët shoqërohej në mënyrë që Policia ta gjente sa më shpejt dhe të zbardhte ngjarjen. Pikërisht aktiviteti i 43- vjeçarit është një nga pistat ku Policia dhe Prokuroria po hetojnë për zbardhjen e motiveve të krimit. Prokuroria e Rrethit gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal më 27 tetor për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit” për zhdukjen e biznesmenit 43-vjeçar Ruzhdi Hoxha.

Nga aktet në dosjen hetimore rezulton se më 24 tetor është paraqitur shtetasi S. Hoxha, i cili ka pretenduar se kanë humbur kontaktet me babanë e tij që më 21 tetor dhe dyshojnë se mund t’i ketë ndodhur ndonjë gjë e keqe. Më pas është paraqitur shtetasi E. Hoxha, i cili ka deklaruar se babai i tij i kishte treguar se, së bashku me shokun e tij Gj. L., kishin marrë përsipër kundrejt pagesës 200 mijë euro të digjnin makinat e shoqërisë “Salillari”, të cilat ndodheshin në zonën e fshatit Marikaj, në afërsi të Vorës. Këtë punë ia kishte gjetur vëllai i shtetasit Gj.L. Ata kishin shkuar më datë 7 tetor në këto ambiente, por nuk kishin mundur ta kryenin. Për këtë ngjarje kishte dijeni dhe shtetasi E.Gj. Ky i fundit është në dijeni të një konflikti që ka pasur shtetasi Ruzhdi Hoxha me një shtetas të cilin e njeh vetëm me emrin Visi.

Nga deklarimet e marra rezulton se Ruzhdi Hoxha më 21 tetor, rreth orës 23:30, pasi ka qenë duke pirë kafe tek një lokal në autostradë, në rrugën dytësore ngjitur me një biznes të njohur, me dy shokët e tij E. B. dhe E.T. Më pas e kanë marrë në telefon dhe ka takuar shtetasi Fredi Rrushi, K.I. dhe A.F., të cilët kanë qenë me automjetin tip “Pasat” me ngjyrë gri. Të tre këta persona janë banues në zonën e “Treshit” në Tiranë. Pasi e kanë marrë në makinë ne tyre shtetasin Ruzhdi Hoxha janë nisur në drejtim të “Treshit”. Kur kanë mbërritur tek ky vend, shtetasi K.I. dhe A.F., kanë zbritur nga makina duke u ndalur tek lokali i shtetasit K.I., ndërsa Fredi Rrushi dhe Rruzhdi Hoxha kanë vazhduar duke bërë një xhiro me makinë në këtë lagje. Pasi kanë bërë një xhiro, Fredi Rrushi ka shpjeguar se e ka zbritur nga makina Rruzhdi Hoxhën në afërsi të stacionit të Treshit.

Nga administrimi i tabulateve të Ruzhdi Hoxhës, telefonata e fundit është ajo e datës 21 tetor, ora 23:42 me numrin e telefonit në përdorim të A.S.F. (në deklarime rezulton se Fredi Rrushi i ka kërkuar këtij shtetasi ta marrë në telefon Ruzhdiun). Nga këqyrja e pamjeve filmike të sjella nga ana e shtetasit E. Hoxha, djali i viktimës, pamje të cilat janë të parkimit të ndodhur në hyrje të Parkut të Liqenit në Tiranë, rezulton se Ruzhdi Hoxha ndodhet në këto ambiente rreth orës 20:53 sipas orës së kamerave.

Ai mban të veshur një xhup pa mëngë ngjyrë të errët, një bluzë, e cila nga pamjet duket si ngjyrë gri dhe pantallona të ngushta ngjyrë të errët. Sipas dosjes hetimore, Ruzhdi Hoxha u filmua për herë të fundit me dy miq të tij në hyrje të Liqenit Artificial në Tiranë. Prej andej ata shkuan në afërsi të “A…” në autostradën Tiranë-Durrës, ku qëndruan deri në orën 23:00. Në këtë orar, Fredi Rrushi mbërrin te lokali bashkë me Ajet F. e Kledjon I..

Në automjetin e tij, në vend të parë, ulet 43- vjecari Hoxha. Ky i fundit mbante veshur xhepin që i dhuroi miku i tij, me të cilin piu kafen e fundit. Pasi zbret nga automjeti dy personat e tjerë që i lë tek lokali i Isufit, Fredi Rrushi merr drejtimin për në Dajt.

Nga pamjet filmike rezulton se automjeti i të dyshuarit lëviz nga rruga “Princ Vidi” në orën 00:29 në drejtim të rrugës “Kastrioti”, më pas në drejtim të Rrugës Demokracia, tek Ura e Babrrusë, del te Komisariati nr.4 dhe merr për lart nga zona e “Freskut”. Ai dallohet disa minuta më vonë, te karburant “S…”, dhe në orën 01:09 minuta në hyrje të Parkut Kombëtar të Dajtit. Në kthim kamerat në hyrje të Dajtit e fokusojnë automjetin në orën 03:28 dhe shkon në drejtim të Urës së Babrrusë, te Rruga Demokracia në Paskuqan, kur shfaqet në orën 03:57 minuta.

Në vajtje thotë policia në automjet dallohen dy persona, ndërsa në rrugën e kthimit në disa kamera shfaqet vetëm një person. Policia thotë se në kthim ai hodhi telefonin e viktimës në zonën e Shkollës së Bashkuar. Telefoni gjendet nga një taksist i cili ja shet një servisi. Punonjësi i servisit e përdori gjatë punës për riparimin e celularëve të tjerë, por kur policia zbarkoi në derën e tij ai iu tregoi të vërtetën. Duke ndjekur lëvizjet e celularit policia arriti të zbulonte vendin ku ishte groposur Ruzhdi Hoxha. Ai ishte qëlluar me 2 plumba dhe ishte mbuluar me masiv gurësh në një humnerë në Qafë Mollë.

Autori i dyshuar u kthye sërish në vendin ku vrau shokun

Fredi Rrushi ka kundërshtuar akuzat, por faktet flasin kundër tij. Madje, disa orë pas krimit ai u kthye sërish në vendin ku vrau shokun e tij dhe u rikthye në Tiranë pas disa orësh. Rrushi pritet të dalë para Gjykatës bashkë me të vëllain, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në krim, pasi ka fshehur automjetin e përdorur në vrasje. Prokuroria ka mbyllur hetimet për vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, i cili u gjet i pajetë dhe i mbuluar me zhavorr në një humnerë në Qafë-Mollë, mbrapa malit të Dajtit, shkruan Panorama.

Pas hetimeve, organi i akuzës ka kërkuar arrest në burg për Ferdinand Rrushin, pasi akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e 43-vjeçarit. Po ashtu, Prokuroria ka kërkuar të njëjtën masë sigurie edhe për vëllain e autorit të dyshuar kryesor, pasi pretendohet se ai e ka ndihmuar që të fshihte kufomën. Pajtim Rrushi akuzohet si bashkëpunëtor në vrasje dhe dyshohet se ka fshehur makinën që u përdor në krim.

Në vijim të hetimeve për dokumentimin e plotë të rrëmbimit dhe vrasjes së shtetasit Ruzhdi Hoxha, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Sektori i Krimeve të Rënda nën drejtimin e Prokurorisë në kuadër të operacionit policor të koduar “Qafë Molla”, u vu në pranga edhe vëllai i autorit të dyshuar të krimit. Policia e Tiranës njoftoi zyrtarisht të dielën se 42- vjeçari Pajtim Rrushi është vënë në pranga, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim, i akuzuar për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehje ose asgjësim i kufomës”, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco