Tv Klan arrin të zbardhë të tjera informacione për zhdukjen e biznesmenit 43-vjeçar Ruzhdi Hoxha, prej të cilit nuk ka asnjë gjurmë që prej 20 Tetorit.
Ferdinand Rushi ka thënë para hetuesve se e kishte shoqëruar me makinë deri pranë shtëpisë së tij biznesmenin Ruzhdi Hoxha në hyrje të Kamzës. Por nga verifikimi i kamerave të sigurisë ka rezultuar se deklaratat e tij nuk qëndrojnë.
Gazetarja e Tv Klan ka mësuar se në bazë të kamerave të sigurisë, makina e Ferdinand Rushit ka devijuar rrugën në drejtim të Dajtit. Kamerat kanë kapur itinerarin e këtij automjeti, brenda të cilit besohet të ketë qenë edhe biznesmeni i zhdukur Ruzhdi Hoxha, deri në zonën e Qafë Mollës.
Pikërisht në këtë zonë, forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle dhe kanë zbuluar një parcelë kanabisi. Gjatë aksionit, në këtë parcelë u gjet një roje, i cili ka thënë para hetuesve se parcela e kanabisit në Qafë Mollë i përket Ferdinand Rushit. Ky i fundit është vënë në pranga nga policia nën hetimin për kultivim të bimëve narkotike, por edhe sepse ndaj tij ka një urdhër-arresti nga Italia.
Personi i fundit që e ka parë biznesmenin është pikërisht Ferdinand Rushi. Ky i fundit po merret në pyetje nga policia, ndërkohë që hetimet vijojnë. /tvklan.al
© SYRI.net