Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Dosja 'Partizani' dhe 'Partizanët' në SPAK

Denohet pasi qëlloi me tre plumba 6 vjeçarin, ja si ndodhi ngjarja e rëndë në Dibër

Denohet pasi qëlloi me tre plumba 6 vjeçarin, ja si ndodhi ngjarja e rëndë në Dibër

09:51, 03/11/2021
A+ Aa A-

Më shumë se dy vjet pas plagosjes me tre plumba të një 6-vjeçari në Krastë të Martaneshit në Bulqizë, Apeli ka dhënë dënimin kapital për autorin e ngjarjes.

Jetmir Koxheri është dënuar me plot 25 vite burg, duke u shpallur fajtor për akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë. Ai është shpallur fajtor për plagosjen me armë zjarri të 6-vjeçarit, i cili pësoi dëmtime në fytyrë dhe në trup. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Dibrës.

Ngjarja

Ka qenë mbrëmja e datës 18 qershor të vitit 2019 kur shtetasi Jeton Koxheri ka shkuar për të konsumuar kafe në një nga lokalet e fshatit. Në momentin që ka shkuar te veranda e lokalit, babai i 6- vjeçarit është ngritur nga tavolina dhe ka deklaruar se: “Lokalin e kam prenotuar unë dhe nuk keni për të pirë kafe”. Nga ana e tij, 27-vjeçari në atë kohë, sipas dosjes së Prokurorisë së Dibrës, i është përgjigjur: “Nuk kam punë me ty. Kam për të pirë kafe”.

Pas këtij momenti, midis tyre ka shpërthyer sherri, duke u përplasur edhe fizikisht. Pasi janë ndarë nga personat e tjerë të pranishëm, Koxheri ka ndjekur babanë e 6-vjeçarit me makinë për 30 minuta, duke u përplasur sërish fizikisht. Sherri ka vazhduar edhe pranë pallatit të shtetasit me iniciale H. Rr., me leva dhe sëpata. Në këtë konflikt është përfshirë edhe gruaja e tij me qëllim për t’i ndarë, por Koxheri e ka shtyrë atë duke e përplasur mbi makinë. Pas këtij momenti, i riu është larguar dhe pranë pallatit ka mbërritur babai dhe vëllezërit e tij, të cilët nuk kanë mundur të kontaktojnë me të.

Pas rreth 15 minutash Jetmir Koxheri është rikthyer sërish në banesën e shtetasit H.Rr, tanimë i armatosur me armë automatike. Duke i rënë derës me forcë, ai ka bërë thirrje: “Dil jashtë të sqarohemi”. Ka qenë bashkëshortja e tij që nuk e ka lejuar atë të dalë dhe përballë kësaj situate, i riu ka kërcënuar: “Do të të vras”. “Pas këtyre fjalëve dhe duke vënë re se shtetasi H. Rr. nuk po dilte nga banesa, i pandehuri ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të banesës. Si pasojë është plagosur djali, viktima (6 vjeç në kohën e ngjarjes).

Në këtë moment bashkëshortja e shtetasit H. Rr., njëkohësisht nëna e fëmijës së mitur, ka bërtitur me të madhe: ‘Më ke vrarë fëmijën’. Pas kësaj i pandehuri ka qëlluar edhe me një breshëri tjetër plumbash, të cilët kanë prekur derën e shtëpisë dhe muret, por pa prekur njeri. Ndërkohë, bashkëshortja ka vazhduar të bërtiste ‘më vrave fëmijën’ dhe i pandehuri është larguar me makinë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Dorëzimi

Një ditë pas ngjarjes, Jetmir Koxheri është dorëzuar në Polici falë ndërhyrjes së vëllait të tij, i cili i ka telefonuar dhe i ka kërkuar të dorëzohej. Prokuroria thotë se i pandehuri dhe babai i fëmijës kanë pasur një konflikt të mëparshëm që kishte të bënte me vjedhjen e veglave të punës në një minierë. “Theksoj se me shtetasin Jetmir Koxheri unë kam pasur një konflikt para rreth 3 vjetësh, ku ai kishte vjedhur magazinën e vëllait tim, me vegla pune për minierë, ku ka shkaktuar një dëm prej 6-7 milionë lekësh të vjetër. Pas kësaj ngjarjeje, unë kam dyshuar tek ai dhe kam shkuar për t’i kërkuar veglat dhe jam konfliktuar me të”, ka deklaruar në atë kohë shtetasi H. Rr. Gjykata e Dibrës e ka shpallur fajtor të riun për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e mbetur në tentativë, si dhe për armëmbajtje pa leje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco