‘Më ndoqën nga Shëngjini deri në Bushat!’/ Dje i vranë babain, si iu bë atentat një vit më parë djalit të ish-efektivit

‘Më ndoqën nga Shëngjini deri në Bushat!’/ Dje i vranë babain, si iu bë atentat një vit më parë djalit të ish-efektivit

12:32, 02/11/2021
A+ Aa A-

Ish-efektivi i Policisë Xhelal Reçi, i cili humbi jetën në një atentat gjatë ditës së djeshme në qytetin e Laçit, ndoshta nuk e kishte menduar kurrë se mund të vritej. Me origjinë nga fshati Gjorm i Krujës, ai bënte një jetë normale në qytetin e Laçit, ku kishte disa dyqane.

E vetmja pistë për vrasjen e Xhelal Reçit mbetet ajo e konflikteve të të birit. Besnik Reçi, 37 vjeç, njihet në zonë si person problematik, ndërsa ndaj tij një vit më parë u organizua një atentat, por fatmirësisht arriti të mbijetonte.

Atentati ndaj të birit

Më 16 gusht të vitit të shkuar persona të paidentifikuar deri më tani nga Policia organizuan një atentat ndaj Besnik Reçit, djalit të madh të 61-vjeçarit që mbeti i vrarë me armë zjarri mëngjesin e djeshëm në qytetin e Lezhës. Në pamjet e publikuara në media pas atentatit të vitit të shkuar shihen dy persona që ndjekin 35-vjeçarin me anë të një motori. Në drejtim të Reçit, i cili ndodhej në automjet bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët, u qëlluan disa plumba, por asnjëri prej tyre nuk arriti ta kapte, duke i mbijetuar kështu vrasjes. Atentati u organizua në mes të ditës dhe në mes të rrugës me praninë e shoferëve të shumtë në aksin rrugor që lidh zonën bregdetare të Shëngjinit me Lezhën.

Sipas pamjeve, autorëve u është bllokuar arma e parë me silenciator dhe më pas kanë përdorur një pistoletë tjetër pa bllokues të zhurmës, duke krijuar panik te drejtuesit e automjeteve. Të paktën tre plumba goditën makinën që drejtonte Besnik Reçi, brenda së cilës ndodheshin edhe fëmijët e tij të mitur. Pas atentatit, Reçi arriti të largohej në aksin në drejtim të Shkodrës, ndërsa vrasësit të pashqetësuar u larguan nga vendi i ngjarjes dhe sot e kësaj dite nuk janë zbuluar.

“Më datë 16.08.2020 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lezhë dhe punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, sepse më datë 15.08.2020, ora 19:30, në lagjen ‘Xhenjo’ Lezhë, në rrugën Lezhë Shëngjin, dy persona të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një motoçikletë dhe skafandra në kokë, kanë qëlluar më armë zjarri pistoletë 3 herë, në drejtim të automjetit tip ‘Mercedes Benz C Class’ me ngjyrë gri me targa ‘AA 811 AB’, me të cilin po lëvizte shtetasi Besnik Xhelal Reçi, i datëlindjes 31.08.1985, banues në Gjormë Kurbin, së bashku me familjen e tij, bashkëshorten dhe 2 djemtë e mitur. Në cilësinë e provës materiale u bllokua një gëzhojë me përmasa 9 x 19 mm dhe një kapsollë detonatore e pagropëzuar, si dhe një fishek i pagropëzuar”, sqaronte Policia në atë kohë, shkruan panorama.

Ngujimi në banesë

Pas ngjarjes së rëndë të më shumë se një viti më parë, ku u rrezikua jeta jo vetëm e shënjestrës së atentatit por edhe gruas dhe fëmijëve të vegjël, Besnik Reçi duke u ndjerë i rrezikuar, nuk dilte në ambiente publike nga frika e një vrasjeje të mundshme. Burimet thonë se që pas sulmit në sy të familjes, Besnik Reçi qëndronte i mbyllur në banesë. Ai nuk ishte në mbrojtje nga Policia lokale edhe pas atentatit të dështuar të një viti më parë. Pas vrasjes së ish-policit të Rrugores, në Laç zbarkuan Forcat Speciale të Policisë së Shtetit që ngritën postblloqe e ushtruan kontrolle në kërkim të autorëve të ekzekutimit të 61-vjeçarit. Në Polici u shoqëruan 12 persona, të cilët pasi u morën në pyetje, u lanë sërish të lirë, pasi nuk është arritur të provohet që të kenë lidhje me ngjarjen.

“Me skafandra dhe armë më ndoqën nga Shëngjini deri në Bushat”

Rreth një muaj pas atentatit ndaj 35-vjeçarit Besnik Reçi, ky i fundit denoncoi atë çfarë i kishte ndodhur tek ish-Kryeministri Sali Berisha. Madje, Reçi i kishte dërguar edhe pamjet nga momenti i atentatit të dështuar. Pavarësisht se Policia u vu në lëvizje, atentati nuk u zbardh asnjëherë dhe shënjestra deklaronte se nuk i kishte njohur vrasësit pasi ishin me skafandra në kokë. “Përshëndetje dr. Kam një video të një atentati që më ka ndodhur më 15 gusht 2021. Kam qenë me bashkëshorten dhe me dy fëmijët. Më ka vazhduar për nga kryqëzimi Shëngjinit deri në Bushat të Shkodrës dhe kam kaluar tri postoblloqe Policie dhe s’kanë reaguar fare.

I kam me video dhe tu më shiku Policia dhe ka njoftu nusja në tel, ka vazhdu ndjekja 20 minuta. Të lutem më ndihmo t’i publikoj. T’i kam çuar video dhe në Facebook. Kjo është videoja e dytë. Shikoje ‘C klasi’ gri dhe motori pas dhe polici i qarkullimit që kap gjoja radion. Më kanë shiku policët dhe ka marr dhe nusja për 20 minuta Komisariatin e Lezhës dhe njerëzit e mi në tel. kanë njoftu Komisariatin e Laçit, po asnjë gjë. Veç kur kam ik vetë në Komisariatin e Shkodrës, se deri në Bushat të Shkodrës më ka ndjek motori duke më gjuajtur, pastaj janë tërheq dhe kanë kthy atentatorët mbrapsht për Lezhë”, sqaronte 35-vjeçari.

Dëshmitari: Pasi dëgjova krismat, pashë dy persona duke u larguar

Ekzekutimi i 61-vjeçarit Xhelal Reçi ndodhi në një zonë të banuar dhe mjaft të populluar. Të shtënat krijuan frikë dhe panik te qytetarët, të cilët fillimisht nuk e kuptuan se çfarë po ndodhte. Një prej tyre përshkruan momentin e ngjarjes së rëndë, ndërsa thekson se në atentat kanë marrë pjesë dy persona. Ai ka deklaruar gjithashtu se bashkë me persona të tjerë në lokal kanë shkuar për t’i dhënë ndihmë viktimës, duke theksuar se për shkak të traumës nga shkrepja e armës së zjarrit, nuk i kishin parë ma vëmendje atentatorët.

“Sapo kisha dalë nga shtëpia dhe u ula në lokal për të pire kafen e mëngjesit. Pas 10 minutash që isha ulur, dëgjova krisma. Fillimisht mendova se ishin kapsolla, por kur ktheva kokën, pashë një person të shtrirë në tokë dhe dy persona që po largoheshin me vrap. Bashkë me njerëz të tjerë që ishin në lokal shkuam për t’i dhënë ndihmën e parë 61-vjeçarit, pasi kishte ndërtuar jetë në vend. Të them të drejtën ishim të traumatizuar dhe nuk arrita t’i shoh personat që qëlluan”, thotë një qytetar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco