Çifti rus pre e mashtrimit në Qerret të Kavajës/ U marrin shtëpinë pas blerjes, institucionet heshtin

Çifti rus pre e mashtrimit në Qerret të Kavajës/ U marrin shtëpinë pas blerjes, institucionet heshtin

19:33, 24/09/2021
A+ Aa A-

Dëshira për të jetuar në Shqipëri, si një vend ideal ku mund të ndërtonin një familje të shëndetshme është kthyer në makth për një çift rus, që prej vitesh jetonin në Malin e Zi. Një vit më parë, Pleshchev Viacheslav dhe Polina Slavina do të vinin në Shqipëri e për shkak të kushteve të pandemisë, do të mbesnin në Shqipëri, ku do të sillnin në jetë edhe një fëmijë. 

Por teksa mbetën të bllokuar në Shqipëri, vendi u bë i dashur për çiftin rus, të cilët zgjodhën që të blejnë këtu edhe një banesë në Qerret, zona e Karpenit në Kavajë, të cilën e arreduan për ta pasur të përshtatshme edhe për rritjen e fëmijës të sapo ardhur në jetë.  

Por pikërisht këtu nisën edhe peripecitë e çiftit, ku vendi që deri më tani ishte aq shumë i dashur, u shndërrua në vendin e problemeve të tyre. 

Ata rrëfejnë për Syri Tv se ranë në kontakt me Gjylfari Peçin dhe Pëllumb Hiton, të cilëve do t’i blinin shtëpinë që e kishin në proces legalizmi. E për të dhënë besimin tek shitësit, çifti nga Rusia u dha atyre një kapar prej 15 mijë eurosh dhe pjesën tjetër të parave, 205 mijë euro, do ua paguanin dy muaj më pas, kur shtëpisë t’i dilte leja e legalizimit, siç iu premtua nga shitësit. 

Image

Të gjitha veprimet u bënë në prani të noteres së Durrësit Albana Hoti, e cila firmosi mbi kontratën mes tyre, duke i dhënë transaksionit rrugën ligjore. 

Pasi jetuan për disa muaj në shtëpinë e tyre të re, çifti shkëputet për disa ditë për të shkuar pranë familjeve të tyre. Por kur kthehen sërish në Shqipëri, përballen me një situatë që nuk e kishin menduar, ish-pronarët i kishin ndryshuar të gjitha bravat dhe nuk lejonin që ata të futeshin në shtëpi, duke i detyruar që të qëndronin në rrugë gjatë natës me shi kur ata u rikthyen për në shtëpinë e tyre të re.  

Por problemi i tyre bëhet edhe më i rëndë pasi asnjë nga institucionet e përfshira nuk reagon për zgjidhjen e problemit. 

Për ngjarjen çifti ka bërë denoncim në Policinë e Kavajës, por veç denoncimit, nga ana e efektivëve duket se nuk është bërë asnjë veprim e nuk është dhënë asnjë shpjegim për procedurat që po ndiqen. 

Nga ana tjetër noterja që ka firmosur kontratën mes tyre as nuk pranon më t’i sqarojë se si i zhyti në këtë situatë pa bërë më parë verififikimet për pronën, e cila më pas ka rezultuar se është e bllokuar nga Përmbarimi Gjyqësor për një borxh të pashlyer nga ana e shitësve. 

Si erdhët në Shqipëri?
Ne e duam shumë Shqipërinë. Në fillim të këtij viti, sollëm në jetë vajzën tonë, Joana, në një spital privat në Tiranë dhe pas kësaj ne vendosëm të blinim këtu një shtëpi dhe të jetojmë këtu. Pasi gjetëm shtëpinë, e cila na pëlqen, filluam me procedurën e blerjes së kësaj shtëpie. Dhamë kaparin dhe filluam të jetojmë në këtë shtëpi, duke rënë paraprakisht dakord me pronarin. Tani jemi kthyer në këtë shtepi, por në shtëpi janë ndërruar bravat gjë e cila na pengon që të hyjmë brenda. Nuk mund të hapim shtëpinë, të përdorim gjërat tona dhe të jetojmë aty dhe pse sipas Kontratës së Kaparit ne mund të jetojme aty deri në 31 dhjetor të këtij viti duke pritur njëkohësisht dhe kryerjen e legalizimit të shtëpisë nga ana e pronarit.

Si ratë në kontakt me shitësit dhe sa u keni paguar?
Në muajin Maj, gjetëm (zgjodhëm) këtë shtëpi, dhamë paradhënien e cila është në shumën 15 000 euro. Nënshkruam një kontratë me ta, të cilën e kemi në dorë, te noter Albana HOTI, në qendër të Durrësit, ku dhe pronari i shtëpisë na tha se do të jetonim në këtë shtëpi dhe se brenda afatit kohor  dy mujor do të kishim dokumentat e legalizimit të shtëpisë dhe pas kësaj ne duhet të paguanim shumën e mbetur për shtëpinë. 

A keni kontakte me ish-pronarët e shtëpisë, cili është shpjegimi i tyre?
U takuam 3 ditë më parë, por nuk patëm një dialog. Ajo pati një sjellje tepër brutale me ne prandaj dhe nuk patëm një dialog. Ajo nuk mundi t‘i përgjigjej asnjërës prej pikave të kontratës që ne kemi në Kontratë. Gjithashtu u evidentuan fakte se kjo shtëpi qenka e sekuestruar që nga viti 2019 dhe dalim në përfundimin se noteri nuk i ka verifikuar të gjitha dokumentet.

Cili është pretendimi i pronarit? 
Ne nuk e dime akoma se çfarë ata duan. Ne akoma duam ta blejmë atë shtëpi, lekët i kemi të disponueshme në bankë. Ne duam ta blejmë shtëpinë. Nga ana jonë ne nuk kemi thyer asnjë nga kushtet e kontratës. Nga ana e tyre, që prej ditës së parë dhe deri tani, nuk kemi marrë asnjë dokument legalizimi.  Ata tani na kanë dërguar një letër, ku kërkojnë nga ne 110.000 euro për një objekt të pa legalizuar.

Po me noterin a keni kontaktuar më?
Asgjë përgjigje konkrete nga noteri nuk kemi marrë sepse ajo nuk pranon të bisedojë me ne.

Si u ndodhët përpara shpisë së mbyllur, a ju kishin njoftuar shitësit për këtë veprim?
Ne jemi kthyer të shtunën në darkë, në 9 të darkës bashkë me fëmijën e vogël. Binte një shi i dendur dhe u vumë para faktit në atë moment se ishin ndërruar bravat dhe çelësat e shtëpisë. Çelesat e bravave të reja ne nuk i kemi. Pas kësaj telefonuam në polici. Policia erdhi. Firmosëm një procesverbal që shtepia ishte e mbyllur dhe pas kësaj shkruam ankesë në Policinë e Kavajës.

Çfare tha policia?
Policia pasi mori të gjitha të dhënat, na thanë se është në process të ndjekjes së procedures.

Po tani çfarë zgjidhje kërkoni nga instancat shtetërore?
Unë e dua Shqipërinë dhe dua të jetoj këtu. Ne kemi shumë vite që vijmë vizitojmë Shqiperine prandaj dhe i dua shumë shqiptarët. Ju kërkoj me shumë këmbëngulje që ta rishohin këtë situatë, të na dëgjoni, dhe që shembulli ynë  të mos pasohet nga shembuj të tjerë, të tillë si kjo e familjes sonë. Kështu që  unë shpresoj që kjo situatë do marrë një zgjidhje. Siç e kishim dëshirën për ta blerë këtë shtepi, vazhdojmë ta kemi akoma dëshirën që ajo shtëpi të jetë e jona.

A keni bërë investime në shtëpi?
Kur pronari na dorëzoi çelësat e shtëpisë për të cilën po flasim, ne për gati një javë u morëm me pastrimin gjeneral të shtëpisë. Në shtëpi ishte pothuajse çdo gjë jashtë funksionimit. As llampa, as pishina, as tualeti, as lavatriçja nuk ishin funkisionale. Këto ne i bëmë funkionale nga lekët tona. Une kam të gjitha faturat e investimit që ne kemi bërë në këtë shtëpi. Kemi paguar çdo muaj faturat e energjisë. Mirëmbajtje pishine, mirëmbajtje ambienti të jashtëm. Të gjitha këto fatura i kemi brenda shtëpisë në të cilën ne nuk mundemi të hyjmë. 

A do ta vizitoni përsëri Shqipërine pas kësaj që ju ndodhi?
Ne shpresojmë dhe urojmë që situatë jonë të ketë zgjidhje sa më të mirë dhe ne të kemi shtëpine që na pelqen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco