EMRI/ SHÇBA pezullon nga puna nënkomisarin e Policisë së Durrësit: Shpërdoroi detyrën

EMRI/ SHÇBA pezullon nga puna nënkomisarin e Policisë së Durrësit: Shpërdoroi detyrën

19:36, 13/09/2021
A+ Aa A-

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, me anë të një deklarate për mediat, bën me dije se ka pezulluar një nënkomisar të policisë.

Kjo, pasi 30-vjeçari Florian Skura dyshohet se ka shpërdoruar detyrën.

Njoftimi:

Drejtoria Rajonale e SHÇBA Durrës ka ekzekutuar vendimin penal të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të punonjësit të Policisë pranë DVP Durrës, Nënkomisar F. S., i dyshuar për "Shpërdorim detyre".

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka marrë vendimin penal duke caktuar masën e sigurimit "Pezullim i ushtrimit të një detyre e funksioni publik" për shtetasin F. S., 30 vjeç, me detyrë Specialist shërbimi dhe OPGJ në sektorin e Qarkullimit Rrugor pranë DVP Durrës, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale "Shpërdorim detyre".

Ky punonjës dyshohet se në periudha të ndryshme kohore dhe në raste të përsëritura, nuk ka kryer veprime të plota hetimore sipas nenit 293/1 të Kodit të Procedurës Penale, si edhe neneve 18, 23 të ligjit për Policinë e Shtetit dhe Rregullores së Policisë së Shtetit, duke mos i referuar materialet proceduriale pranë Prokurorisë, por duke i trajtuar në mënyrë administrative.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco