Policia e Sarandës dhe ajo e Vlorës nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës kanë vazhduar operacion "Pushuesit” kundër bandave të hajdutëve, që mësynë pushuesit në sarandë këtë vere.
Pas arrestimit të tre të parëve, në pranga u vunë mbrëmë edhe dy hajdutë të tjerë bashkë me sendet me vlerë që kishin grabitur, varëse flori si kjo që shihni në foto, para, ora dore që shfaqen në videon e mëposhtme.
Konkretisht, u arrestuan Andon Qurku, 38 vjeç, banues në Sarandë, i dënuar më parë për vjedhje në Shqipëri dhe në Greqi si dhe Renato Vezelaj, 45 vjeç, banues në Tiranë, edhe ai i dënuar më pare për vjedhje.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të 3 vjedhjeve të ndodhura gjatë sezonit turistik, në qytetin e Sarandës, konkretisht:
1. Më datë 08.06.2021, këta shtetas, kanë vjedhur një shumë parash dhe një orë dore, në banesën e shtetasit A. B.
2. Më datë 13.06.2021,kanë vjedhur një shumë parash dhe disa bizhuteri në banesën e shtetasit E. B.
3. Më datë 08.09.2021, kanë vjedhur një shumë parash dhe sende me vlerë si unaza, ora dore dhe varse në banesën e shtetasit B. A.
Ata, pasi i kryenin vjedhjet në bashkëpunim me njëri tjetrin, menjëherë largoheshin në drejtim të qytetit të Tiranës, ku një pjesë të sendeve të vjedhura i shisnin në argjendarin e shtetasit S. V, ndërsa pjesën tjetër e mbanin të fshehura në banesë.
Në vijim u procedua në gjëndje të lirë argjendari S.V, 42 vjeç, banues në Tiranë, pronari i një argjendarie në Tiranë, për veprën penale të “Përvetsimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në argjendarin e tij, u gjetën disa prej sendeve të vjedhura nga këta shtetas, ndërsa pjesa tjetër e sendeve të vjedhura u gjetën dhe u sekuestruan në banesën e shtetasit Renato Vezelaj, në Tiranë.
Po nga hetuesit e Sarandës u arrestua për “Vjedhje mbetur në tentative”, Jolian Hila, 18 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë, pasi më datën 9.09.2021, ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit D. K.
© SYRI.net