Kurti: NATO ta kthejë zonën e sigurisë në kufirin me Serbinë

Kurti: NATO ta kthejë zonën e sigurisë në kufirin me Serbinë

07:51, 07/10/2024

Kryeministri Albin Kurti e ka kërkuar kthimin e zonës tokësore të sigurisë përgjatë kufirit me Serbinë, pas kërcënimeve me ushtri e artileri që ky shtet i bëri gjatë dy vjetëve të fundit.

Krahas kësaj, ai kërkoi që Serbisë t’i ndalen benefitet që i merr nga BE-ja, SHBA-ja e Mbretëria e Bashkuar dhe që Perëndimi t’i sanksionojë gjithë ata që i mbrojnë e bashkëpunojnë me terroristët, si dhe personat e përfshirë në listë të zezë

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar të shtunën nga NATO-ja që ta kthejë zonën tokësore të sigurisë në një perimetër prej 5 kilometrash përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.

Kërkesën për kthimin e masës së hequr 23 vjet më parë, ai e justifikoi me aktivitetet e Serbisë për afrimin e ushtrisë dhe artilerisë në kufi me Kosovën gjatë dy vjetëve të fundit. “Meqë brenda dy vjetëve Serbia e ka sjellë katër herë ushtrinë e saj te kufiri ynë, duhet rikthyer zona tokësore e sigurisë që NATO e quan ‘ground safety zone’, në gjerësinë 5 kilometra rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë. Ajo u pati hequr në gusht të 2001-s, kur kryeministër ishte Zoran Gjingjiqi që e vranë dhe këtë po e keqpërdor regjimi i Aleksandër Vuçiqit”, ka thënë kryeministri Kurti, gjatë adresimit në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, parti të cilën e udhëheq.

Kurti theksoi se udhëheqja aktuale në Serbi ka mbetur agresore, sikurse gjatë kohës së luftës. Përgjegjësinë për sigurinë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë e ka misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës.

Kryeministri e akuzoi Serbinë se nuk dëshiron përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, tek i përmendi moszbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe sulmin e vitit të shkuar në Banjskë, për të cilin tha se synim kryesor e pati nisjen e një konflikti të gjerë dhe të gjatë. Kurti kërkoi nga Perëndimi që t’ia ndalë ndihmën Serbisë dhe t’i sanksionojë të gjithë ata që i mbrojnë e bashkëpunojnë me terroristët dhe personat që janë në listë të zezë të SHBA-së. “Andaj Perëndimit demokratik, në veçanti Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, ne u bëjmë thirrje që Serbisë t’i kushtëzohen përfitimet aktuale, jo vetëm ato të ardhshme nga BE-ja, SHBA-ja e Mbretëria e Bashkuar. Duhet të sanksionohen nga SHBA-ja, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar ata që bashkëpunojnë me personat që ndodhen në listë të zezë në Ballkan. Ata që janë pjesëtarë të organizatave ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’. Përndryshe kriminelët që shëtisin të lirë, përndryshe listat e zeza, nuk janë efektive”, ka thënë Kurti.

Organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, janë shpallur organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës qershorin e vitit të kaluar. Kurti tha se lista e zezë duhet të japë “rezultate nëpërmjet sanksionimit të gjithë atyre që komunikojnë e bashkëpunojnë me ta”.

Në listë të zezë është edhe Millan Radoiçiq që mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës shtatorin e vitit të kaluar. Në Banjskë, më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur vranë një polic të Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë. Kryeministri Kurti ka mbrojtur veprimet e autoriteteve të Kosovës në veri të vendit, që bashkësia ndërkombëtare i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara.

“Ata që ankohen për veprimet tona unilaterale janë duke u ankuar pse e kemi shpallur pavarësinë. Sundimi i ligjit për shtetin sovran është sikurse frymëmarrja. Frymëmarrja është e njëanshme, përveç te ndihma e parë ndoshta. Por Kosova mund të ketë pasur nevoje për ndihmë të parë në pranverën e 1999-s, por është shtet sovran i pavarur.

Sulmet që na bëjnë janë dëshmi e suksesit tonë. Përpjekja e tyre për një makinë kohore që i kthen para vitit 1999, para 2008, a para 2021 është shprehje e karakterit revizionist të regjimit në Serbi dhe kjo gjen mbështetje te kushtetuta agresive e Serbisë. Ajo duhet të ndryshojë. Të gjitha angazhimet tona nuk janë të bazuara thjesht në vullnet të popullit e në ligj, por edhe në vlerat demokratike”, ka thënë Kurti.

Kryeministri edhe më herët ka shprehur qëndrimin se veprimet në veri – përfshirë mbylljen e institucioneve që kanë funksionuar në bazë të sistemit të Serbisë, ndalimin e përdorimit të dinarit serbë për pagesa me para të gatshme dhe veprime të tjera – janë në kuadër të shtrirjes së sovranitetit dhe zbatimit të ligjit.

Kryeministri ka përsëritur po ashtu kërkesën që Marrëveshja Bazë e arritur në Bruksel të nënshkruhet, që të tërhiqet letra e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, dërguar 27 vendeve të BE-së, e me të cilën e konteston tërësinë territoriale të Kosovës

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco