Osmani: Vuçiç është bos i bandave kriminale në Veri

Osmani: Vuçiç është bos i bandave kriminale në Veri

07:17, 30/09/2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një diskutim në “Council on Foreign Relations” në New York, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po e pengon integrimin e serbëve në institucione të Kosovës dhe se kreu i shtetit serb është “bosi i bandave kriminale” në Veri.

“Vuçiçi është bosi i këtyre bandave kriminale, sepse i financojnë, i mbështesin ata politikisht dhe i kontrollojnë. Dhe së dyti, Vuçiçi është njeriu që politikisht tenton t’i mbajë pengje serbët e Kosovës duke mos i lejuar ata që të integrohen në atë që sot është kushtetuta më e mirë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në Evropë”, tha Osmani.

“Duke mos i lejuar ata [serbët e Kosovës] që të integrohen në institucionet e Kosovës, ata tentojnë të përdorin të njëjtat instrumente që kanë përdorur në Bosnjë e Hercegovina. Ata tentojnë që të shkatërrojnë Kosovën nga brenda. Dhe sa më shumë që serbët e Kosovës nuk integrohen aq më shumë Serbia do t’i përdorë ‘argumentet’ e Putinit se ne do të mbrojmë komunitetin pakicë”, shtoi Osmani.

Sipas Osmanit, gjithçka që u intereson Serbisë është territori, madje ajo theksoi se iu intereson që të shtyjnë përpara planet për “aneksim të stilit të Krimesë, meqë sipas saj, Serbisë nuk ia ndien për të drejtat e serbëve që jetojnë në Kosovë.

Osmani shtoi se “ne nuk duam që askush të kalojë atë që kemi kaluar ne”. “Ne e dimë se si është të jetosh në diskriminim konstant. Ne duam që secili të ndihet i barabartë dhe i sigurt dhe të ketë mundësitë që të kenë sukses”, potencoi e para e shtetit.

Më 26 shtator, Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës, ajo ka potencuar se veprimet e Qeverisë për shtrirje jo vetëm që janë të ligjshme, por edhe legjitime, derisa ka shtuar se Kosova si shtet i pavarur dhe sovran duhet ta shtrijë sovranitetin e saj të plotë në çdo cep të territorit.

“Në çdo rast kur kemi punuar afër me shtetet perëndimore e në veçanti me aleatët tanë në SHBA dhe shtete të caktuara të BE-së dhe kemi koordinuar hapat, në ato raste këto hapa kanë qenë shumë më të qëndrueshme, sukseset kanë qenë më afatgjata dhe vet akti i shpalljes së pavarësisë ka qenë i tillë”, tha Osmani.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco