Shtyhet seanca për të akuzuarit e sulmit terrorist në Banjskë, ja arsyeja

Shtyhet seanca për të akuzuarit e sulmit terrorist në Banjskë, ja arsyeja

10:51, 25/09/2024

Është shtyrë për 9 tetor seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit një vit më parë.

Shtyrja u vendos pasi avokatët e të akuzuarve Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq kërkuan më shumë kohë për të lexuar shkresën e lëndës dhe provat e Prokurorisë. 

Fillimisht në seancën e nisur të mërkurën, gjyqtari Arben Hoti konstatoi se ka kushte për nisjen e shqyrtimit fillestar ndaj të pandehurve që gjenden në masën e paraburgimit. Për gjykimin në mungesë, të 42 personave të tjerë të akuzuar, do të kërkohet opinion nga Gjykata Supreme.

Paraprakisht, prokurori special, Naim Abazi, ka thënë se pjesa tjetër e grupit terrorist nuk ka mundur të kapet për t’u sjellë në gjykatë. Ai ka thënë se pavarësisht kësaj, mund të bëhet gjykimi në mungesë.

Kurse avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, ka thënë se s’ka faktorë që gjykata të vendosë të mos mbahet gjykimi në mungesë. 

Gjykata po ashtu me fillim ka konstatuar që prokuroria e ka përmbushur obligimin për ofrimin e shkresës së lëndës palës së akuzuar, në mënyrë elektronike, edhe pse avokatët e të akuzuarve kërkuan që ato të dorëzohen në formë fizike. 

Pas konstatimit të gjykatës se Prokuroria ka kryer obligimin për dorëzim të shkresës së lëndës, Pantoviq, avokat i njërit prej të akuzuarve, kërkoi që seanca të ndërpritet. Edhe avokati i Vladimir Toliqit, Milosh Deleviq, kërkoi më shumë kohë për përgatitje. 

Prokurori Abazi i ka cilësuar të papranueshme kërkesat e mbrojtjes duke thënë se mbrojtja e ka pasur në dispozicion aktakuzën në afat të arsyeshëm.

Kurse gjykatësi Hoti ka thënë se nuk mund të paragjykohet se si do të deklarohen të pandehurit dhe si rrjedhojë u vendos që kjo seancë të vazhdojë më 9 tetor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco