Një vit nga sulmi në Banjskë, rruga merr emrin e heroit Afrim Bunjaku

Një vit nga sulmi në Banjskë, rruga merr emrin e heroit Afrim Bunjaku

09:58, 24/09/2024

Sot shënohet një vit nga sulmi terrorist serb në Banjskë.

Orët e para të së dielës së 24 Shtatorit të vitit 2023, Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit nga persona të maskuar, të veshur e armatosur rëndë.

Nga ky sulm terrorist, mbeti i vrarë rreshteri u Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për sulmin terrorist të Banjskës.

Kështu bëri të ditur kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufi në një konferencë për media, i cili njoftoi se aktakuzë është ngritur ndaj 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast.

Ndërkohë Klan Kosova raporton se dje në mbledhje qeveria e Kosovës vendosi që rrugën Ballaban-Banjskë, ta emërtojë “Afrim Bunjaku”, emrin e heroit të Republikës së Kosovës.

“Në njëvjetorin e sulmit terrorist dhe paramilitar kundër vendit tonë në Banjskë të Zveçanit, nderojmë e kurrë nuk harrojmë sakrificën e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku, që humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe ambasada gjermane në Prishtinë, e cila thotë se duhet të vendoset drejtësi për vrasjen e Bunjakut.

“Sakrifica e tij nuk do të harrohet, por fakti mbetet: Milan Radoçiç, autori i dyshuar i këtij krimi, pavarësisht se e ka pranuar përgjegjësinë, është ende i lirë në Serbi. Dështimi për të kërkuar llogari nga përgjegjësit, pavarësisht pranimeve të qarta të fajit, e minon paqen në rajon dhe çon një mesazh të rrezikshëm. Drejtësia duhet të vendoset. Nuk ka më shtyrje dhe justifikime”, shkroi ambasada gjermane në rrjetet sociale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco