BE e mirëpret ngritjen e aktakuzës për Banjskën

BE e mirëpret ngritjen e aktakuzës për Banjskën

13:53, 12/09/2024

Bashkimi Evropian (BE) e ka mirëpritur vendimin e Prokurorisë së Kosovës për të ngritur aktakuzë kundër disa dhjetëra të dyshuarve për organizim dhe kryerje të sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit vitin e kaluar, tha të enjten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiç – për sulmin e armatosur në Banjskë.

Stano tha se përgjegjësit e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic kosovar, do të përballen me pasoja pasi gjyqësori në Kosovë ta shpallë aktvendimin ndaj tyre.

“BE-ja ka bërë thirrje vazhdimisht Serbisë që të gjithë të përfshirët në këtë sulm brutal të nxirren para drejtësisë. Ngritja e aktakuzës do të thotë se procedurat gjyqësore tash do të nisin dhe ne presim të shohim përfundimin e këtij procesi“, tha Stano.

I pyetur se a ka qenë Banjska temë e takimit që ambasadorit të BE-së në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të enjten, Stano u përgjigj se BE-ja ia ka përcjellë Serbisë vazhdimisht porosinë e njëjtë, se ajo duhet të bashkëpunojë plotësisht në hetime për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për këtë sulm.

“Nuk kemi nevojë për takime të veçanta që të përcjellim qëndrimet e BE-së. Ato dihen dhe janë përsëritur disa herë. Presim që Serbia të bashkëpunojë në hetime për këtë rast dhe, po ashtu, t’i mbajë përgjegjës personat e përfshirë. Këtë ua kemi përcjellë disa herë autoriteteve të Serbisë“, shtoi ai.

Sipas burimeve diplomatike brenda BE-së, ka shtete të cilat kanë kritikuar se Serbia nuk ka bërë asgjë për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë, edhe pse ata ndodhen në territorin e Serbisë.

Ato kanë kërkuar që kjo të merret parasysh edhe në rastin e vendimeve për të avancuar me procesin e negociatave të anëtarësimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Në Banjskë të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco