Lajçak: Kemi rënë dakord me Bislimin për takimin e radhës në Bruksel

Lajçak: Kemi rënë dakord me Bislimin për takimin e radhës në Bruksel

10:33, 06/09/2024

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se gjatë takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, të premten në Prishtinë, janë pajtuar për takimin e radhës në kuadër të kryenegociatorëve në Bruksel, por nuk ka dhënë detaje të tjera. 

Në një prononcim për media pas takimit, Lajçaku ka thënë se data e takimit nuk mund të thuhet pa u koordinuar me të tjerët.

Emisari i BE-së bëri të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar edhe për hapjen e Urës së Ibrit, duke përsëritur se ura duhet të hapet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Biseduam se sa progres është arritur nga takimet e fundit. Diskutuam çështjen e Urës së Ibrit dhe hapjen e saj për transport. Qëndrimi i BE-ës është i mirënjohur, duhet të hapet por hapja duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Lajçak.

Emisari sllovak, që ka mandat në këtë detyrë deri në janar të vitit të ardhshëm, ka thënë se ka deklarata si në Kosovë ashtu edhe në Serbi që nuk i ndihmojnë procesit të dialogut. Por ka theksuar se Marrëveshja e Ohrit është pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.

“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu, atje që nuk ndihmojnë fare. Por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai.

Për paralajmërimin e bllokimit të disa pikave kufitare nga serbët gjatë ditës së sotme për shkak të mbylljes së strukturave paralele në veri nga Policia e Kosovës, Lajçaku shpreson të mos ketë bllokime pasi “nuk ka arsye”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco