Britania paralajmëron qytetarët e saj: Mos shkoni në veri të Kosovës

Britania paralajmëron qytetarët e saj: Mos shkoni në veri të Kosovës

10:42, 05/09/2024

Mbretëria e Bashkuar i ka këshilluar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në veri të Kosovës, përveçse nëse e kanë të domosdoshme.

Pasi paralajmëron që të mos udhëtohet në vende si Rusia, Irani e të tjera, kryesisht për shkak të konflikteve politike dhe shqetësimeve për sigurinë, Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar (FCDO) e ka futur veriun e Kosovës në pjesën tjetër të listës së vendeve dhe destinacioneve ku nuk rekomandon të udhëtohet nëse nuk është e domosdoshme.

FCDO këshillon që të mos udhëtohet, përveçse nëse është e domosdoshme, “në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit dhe në zonat e Mitrovicës në veri të lumit Ibër”.

“Kjo për shkak të incidenteve të dhunshme dhe tensioneve të shtuara në këto zona”, thuhet në paralajmërimin e publikuar në faqen e qeverisë britanike. 

Në një seksion të veçantë, FCDO u jep këshilla britanikëve për sigurinë në pjesë të Kosovës.

“Që nga dhjetori 2022 ka pasur përplasje të dhunshme dhe incidente me granata dhe shpërthime automjetesh. Jini të kujdesshëm dhe shmangni tubimet publike, veçanërisht rreth zonës së Urës së Austerlitzit (Ura kryesore e Ibrit) që e ndan Mitrovicën veriore dhe jugore”, thuhet në faqen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Situata politike në Kosovë përshkruhet si “në përgjithësi stabël”, por në të njëjtën fjali, Zyra e Jashtme britanike përmend se “ekziston rreziku i protestave në komunat veriore të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit dhe në zonat e Mitrovicës në veri të lumit Ibër” dhe se ato “kanë potencialin të bëhen të dhunshme”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco