Granata e dorës në oborrin e bashkëpunëtorit të kryetarit të Zubin Potokut, Policia e Kosovës jep detaje

Granata e dorës në oborrin e bashkëpunëtorit të kryetarit të Zubin Potokut, Policia e Kosovës jep detaje

10:05, 05/09/2024

Gjatë ditës së djeshme është hedhur një granatë dore në oborrin e një shtëpie të banuar me serbë në Zubin Potok.

Shpërthimi i granatës, rezultoi të jenë në pronën e njërit nga bashkëpunëtorët e kryetarit të kësaj komune, Izmir Zeqirit.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë Zeqiri të mërkurën për gazetën online Reporteri.net,  duke thënë se “veprime si këto, nuk i zmbrapsin”.

E Policia e Kosovës në raportin e sotëm 24 orësh ka dhënë detaje për këtë incident.

Sipas policisë nga shpërthimi është dëmtuar një veturë dhe dy xhama të shtëpisë.

“Zubin Potok / 04.09.2024 – 02:40. Është raportuar se të dyshuar të panjohur kanë hedhur një mjet shpërthyes në oborrin e një shtëpie me ç’rast  është dëmtuar një veturë dhe dy xhama të shtëpisë. Me urdhër të prokurorit, është iniciuar rasti dhe mbetet nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Të martën e shtatorit, Zeqiri ka njoftuar në Facebook se është kërcënuar nga një profil i një “terroristi”, i cili tha se është paraqitur si oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Tutje, ka thënë se ky person pretendohet se është i angazhuar në Kosovë.

“Jam duke u kërcënuar dy herë brenda tre muajve të fundit nga i njëjti profil i një terroriste që paraqitet të jetë një oficer i MUP-it të Serbisë, i angazhuar në R.Kosovës. Herën e parë më 31 maj dhe tani më 2 shtator. Përgjgija ime është: Këtu jam dhe këtu do të jem dem baba dem”, ka shkruar ai.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco