Gërvalla: Serbia është ajo që e kërcënon rajonin, me partnerët po diskutohet hapja e urës mbi Ibër

Gërvalla: Serbia është ajo që e kërcënon rajonin, me partnerët po diskutohet hapja e urës mbi Ibër

20:44, 03/09/2024

Nga Forumi i Bledit në Slloveni, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, theksoi se mbi çështjen e hapjes së urës qendrore mbi Ibër në Mitrovicë po zhvillohen diskutime me ndërkombëtarët, teksa e fajësoi Serbinë se po e kërcënon Kosovën me luftë.

Duke folur në të njëjtin panel me Gërvallën, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, theksoi rëndësinë e zgjidhjes së problemeve të hapura, me qëllim, anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

Bashkëpunimi dhe raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë shkojnë përtej zhvillimeve ditore, ka thënë ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schëarz, në Forumin e Bledit në Slloveni.

Në panelin ku pjesëmarrës kanë qenë përfaqësues rajonalë, si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Christoper Hill, Gërvalla ka folur mbi kundërshtimin e faktorit ndërkombëtar pas paralajmërimit të Qeverisë për hapjen e urës mbi Ibër.

Sipas saj, kjo çështje është duke u diskutuar me ndërkombëtarët teksa shtoi që problemi qëndron te Serbia që e kërcënon Kosovën me luftë.  

“Ajo çfarë po bëjmë është se kemi diskutime për hapjen e urave, sepse ato janë për të lidhur njerëzit dhe nuk duhet të mbesin simbole të ndarjes nga koha e Slododan Milosheviqit. Jemi të përkushtuar që t’u ofrojmë të gjithëve paqe dhe siguri, por po ashtu jemi të përcaktuar për luftimin e strukturave ilegale, bandave kriminale që nuk rrezikojnë vetëm shtetin por edhe qytetarët në veri. Nuk do të ndalemi së bëri gjërat e duhura vetëm pse në anën tjetër të kufirit nuk duan të na shohin tek ecim përpara. Vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës është problem për fqinjin verior. Ky është problemi”, tha Gërvalla-Schwarz.  

E ambasadori amerikan në Beograd, Hill, e ka theksuar rëndësinë e zgjidhjes së problemeve të hapura për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. 

“BE-ja nuk është e interesuar të pranojë vende me probleme. Nëse kthehemi tek fillimet e zgjerimit të BE-së, tek anëtarësimi i Polonisë, Çekisë e vendeve të tjera, ajo që funksionoi ishte procesi i Vishegradit që u ndihmoi këtyre vendeve për t’u përafruar në BE. Jam optimist se BE-ja e kupton detyrën që ka dhe të sigurohet se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të rrisin bashkëpunimin në funksion të integrimit”, tha Hill.  

E ministrja e Integrimeve Evropiane e Serbisë, Tanja Misçeviq, është kundërpërgjigjur duke thënë se veprimet e njëanshme nuk janë vlerë evropiane.

“E kuptojmë qasjen dhe konstruktivitin tonë që kërkohet në procesin e dialogut mes Prishtinës e Beogradit. Për të respektuar të drejtat e minoriteteve dhe të thuhet se jemi të përcaktuar të bëjmë veprime të njëanshme nuk është vlerë evropiane. Nuk është vlerë evropiane që për një vit të ketë bllokadë të produkteve. Të bllokohet bashkëpunimi rajonal, veçanërisht në CEFTA, nuk na e ndihmon asnjërin prej nesh”, tha Misçeviq.  

Në këtë panel ka qenë e planifikuar të paraqitej edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovën-Serbi, Miroslav Lajçak, porse, sipas moderatorit, ai nuk mori pjesë pasi që është dashur të kthehej në Bruksel.

Gërvalla-Schwarz: Fqinji verior po e sheh provokim ekzistencën e Kosovës, por ne do të qëndrojmë

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ka thënë se Kosova është storie e suksesit e SHBA-së dhe e aleatëve evropianë. 

Gërvalla-Schëarz duke folur në panel në Forumin Strategjik të Bledit ka thënë se Kosova ia ka borxh partnerëve një shtet ku sundimi i ligjit, demokracia, të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve janë në standardin më të lartë. 

“Gjitha organizatat që merren me matje të standardeve konfirmojnë se Kosova qëndron si lidere e demokracisë e sundimit të ligjit në rajon. Presidentja Von der Leyen dje gjatë fjalimit përmendi se si IMF e të tjerët, konfirmojnë reforma të jashtëzakonshme ekonomike që çojnë në përfitim të gjithë qytetarëve. Është ajo që ua kemi borxh qytetarëve e partnerëve tanë”, ka thënë Gërvalla-Schëarz. 

Gërvalla është pyetur nga moderatori lidhur me reagimet e partnerëve ndërkombëtarë për veprimet e fundit të Kosovës në veri. 

“Kemi pasur diskutim për hapje të urave, do të vazhdojmë të hapim ura. Urat janë të lidhin njerëzit e qytetet, nuk janë të mbesin aty me simbole të vjetra të Millosheviqit për ndarje të qyteteve. Do të vazhdojmë të ofrojmë për të gjithë mundësi që të jetojnë në siguri e paqe  në shtetin tonë. E nuk do të ndalojmë së bëri punën e duhur, vetëm se në anën tjetër të kufirit ka njerëz që nuk janë të interesuar të shohin Kosovën të përparojë. Të jem e sinqert, ajo që po bëjmë ne nuk është provokim për askëd. Vetë ekzistimi ynë si Republikë e Kosovës, është provokim për fqinjin tonë verior. Është ky problemi. Por nuk mund të zhdukemi, jemi aty për të qëndruar dhe të ofrojmë perspektivë më të mirë për të rinjtë tanë në Kosovë...Do të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm me nevojat e të gjithëve, por në të njëjtën kohë edhe të tregojmë edhe në veri se kjo qeveri kujdeset më tepër për nevojat e tyre sesa Beogradi”, ka thënë Gërvalla. 

Ajo ka folur në panelin e quajtur “Evropa e tërë dhe e lirë: Zgjerimi si projekt strategjik i pajtimit”. 
Në panel ishte paraparë të merrte pjesë edhe emisari për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, por ai nuk mori pjesë pasi siç tha organizatori ishte dashur të udhëtonte. 

Gërvalla ka thënë se Bashkimi Evropian duhet bëjë më tepër se të ndihmojë që Ukraina të fitojë luftën ndaj Rusisë dhe t’u tregohet aleatëve të Putinit se nuk ka vend në BE për ata që sulmonjë fqinjtë. 

“Duhet që BE-ja të angazhohet seriozisht, pasi nuk është angazhim për një apo dy shtetet aty në Ballkan. Por, është angazhim për paqe e stabilitet të Evropës. Në vitet ’90 kemi parë se çfarë ndodhi kur Millosheviqi bëri 4 lufta në Ballkan. Kemi parë se si u pagua çmimi. Duhet vepruar bashkë”, tha Gërvalla-Schwarz. 

Ajo tha se nëse reagimi i BE-së mbetet i njëjtë sikur tash atëherë do të ketë vende në Ballkanin Perëndimor që nuk do t’i bashkohen BE-së./ Koha.Net.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco