Gjenden mbetje mortore në veri të Mitrovicës

Gjenden mbetje mortore në veri të Mitrovicës

16:10, 03/09/2024

Mbetje mortore janë gjetur në Mitrovicën e Veriut, njoftoi Policia e Kosovës, ndërsa menjëherë pas lajmërimit, ekipi mjekoligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore i ka tërhequr eshtrat për ekzaminim.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se do të verifikohen eshtrat, ndërsa më vonë do të dalë me një njoftim zyrtar.

“Qytetarët kanë hasur në eshtra (mbetje mortore), në veriun e Kosovës (Mitrovicë). Pas njoftimit nga Policia e Kosovës, ekipi mjekoligjor i IML-së ka tërhequr mbetjet mortore (eshtrat) për ekzaminimet e mëtejme mjekoligjore. Komisioni do t'iu njoftojë pas verifikimit dhe konstatimit nga IML, nëse të njëjtat janë më interes forenzik, dhe potencialisht mund t’u përkasin viktimave të listës së personave të zhdukur”, thuhet në komunikatë.

Më herët, kryeministri Albin Kurti kishte treguar se së shpejti do të bëhen gërmime në Kozhle, midis Novi-Pazarit e Tutinit në Serbi, për mundësinë e gjetjes së varrezave masive.

Gjatë luftës së viteve 1998/’99 në Kosovë u vranë rreth 13.000 njerëz, 10.794 shqiptarë, 2.119 serbë, ndërsa të tjerët u përkasin etnive të tjera.

Nga rreth 6.000 njerëzit e zhdukur me forcë atëkohë, të pagjetur sot mbeten edhe më shumë se 1.600 njerëz. Shumë prej të zhdukurve u gjetën ndër vite nëpër varreza masive në Serbi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco