Kurti pas takimit me Burns, drejtorin e CIA: Vizita, në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë

Kurti pas takimit me Burns, drejtorin e CIA: Vizita, në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë

14:32, 23/08/2024

"Marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duam t'i forcojmë e zgjerojmë edhe më tej, deklaroi sot Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me shefin e CIA-s, William Burns.

" Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant William Burns, - shkroi Kurti në Fb, - ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë.

Kosova është shembull suksesi i demokracisë zhvillimore, ku anti-korrupsioni është bërë rritje ekonomike kurse qeverisja e mirë është bërë mirëqenie shoqërore.

E njoftova z. Burns me progresin e vendit tonë, të cilin e ruajmë dhe mbrojmë teksa e ngrisim më tej dhe shtojmë.

Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik.

Në tri vitet e fundit, gjersa Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% e buxheti shtetëror për 35%, për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, i kemi dedikuar 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor.

Çlirimi e pavarësia e vendit tonë, mbështetja e përhershme amerikane në aq shumë fusha, ishin e janë gjë e drejtë dhe e duhur që ia ka vlejtur fort për të gjithë.

Shpreha edhe përkushtimin e pareshtur drejt vlerave e parimeve të përbashkëta që ndërlidhen me lirinë dhe demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe orientimet e palëkundura drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

E falënderoj Drejtorin e CIA-s, William Burns, për mbështetjen e vazhdueshme dhe këtë vizitë historike në vendin tonë," përfundoi Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco