Sulmi terrorist në Banjskë/ Tre të dyshuarve u zgjatet me dy muaj paraburgimi

Sulmi terrorist në Banjskë/ Tre të dyshuarve u zgjatet me dy muaj paraburgimi

17:41, 20/08/2024

Gjykata Themelore në Prishtinë ka zgjatur masën e paraburgimit, me nga dy muaj  për tre të dyshuarit - Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq,  për sulmim terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.

 “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 20.08.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq gjenden nën masën e paraburgimit që prej 26 shtatorit të vitit të kaluar.

Ata dyshohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën  dhe dy të tjerë. Gjithashtu, viktima mbetën edhe tre sulmues, ndërsa të tjerët u larguan, duke u strehuar më vonë  për disa orë në Manastirin e Banjskës.

Ministri  i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte publikuar pamje të Milan Radoiçiq, ku kishte theksuar se Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Bunjaku. E vetë Radoiçiq po ashtu e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco