Digjen dy makina të Komunës së Zveçanit

Digjen dy makina të Komunës së Zveçanit

10:19, 26/07/2024

Dy makina në pronësi të Komunës së Zveçanit, janë dëmtuar nga zjarri, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Sipas Elshanit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:40 të mëngjesit të 26 korrikut. Makinat që u dogjën ishin para ndërtesës të Komunës së Zveçanit.

“Dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie, ndërsa të lënduar nuk ka”, tha Elshani shkurt për REL-in.

Ai po ashtu shtoi se policia është duke punuar që të zbardhë këtë rast.

Zveçani është një nga katër komunat në veri të Kosovë, që janë të banuara me shumicë serbe. Në këtë pjesë të territorit të Kosovës edhe në të kaluarën ka pasur djegie të makinave dhe dëmtim të pronës.

Në qershor të këtij viti u raportua për djegien e dy makinave me targa serbe në Mitrovicë të Veriut.
Ndërkaq, në fillim të prillit, një pjesëtarit të policisë kufitare të Kosovës iu dogj makina në Mitrovicë të Veriut.

Në mars u regjistruan dy djegie të pronave të serbëve në Kosovë. Një lokal, në pronësi të nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniç, u dogj më 8 mars. Ajo, dhe autoritetet e sigurisë, thanë se zjarrvënia dyshohet se ishte e qëllimshme.

Ndërkaq, më 24 mars u dogj një objekt në pronësi të Nenad Radosavleviçit, drejtor i Drejtorisë për Sport, Rini dhe Kulturë në komunën që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Radosavleviç i tha Radios Evropa e Lirë se beson që zjarrvënia ishte e qëllimshme dhe se motivi ishte politik.

Raste me djegien e makinave u regjistruan veçanërisht shumë në fund të vitit 2022 dhe gjatë vitit 2023, kur u bë procesi i riregjistrimit të makinave me targa të Kosovës. Për këtë arsye, persona të panjohur dogjën disa makina me targa RKS (Republika e Kosovës).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco