Kërkohet shkarkimi i Bordit të RTK-së pas skandalit me artikullin

Kërkohet shkarkimi i Bordit të RTK-së pas skandalit me artikullin

16:44, 24/07/2024

Gjashtëmbëdhjetë organizata joqeveritare dhe tre aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, kanë kërkuar të mërkurën dorëheqjen e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), pas publikimit të një artikulli të mediumit “Slobodna Bosna” të Bosnje-Hercegovinës, dy ditë më parë.

Në atë shkrim të platformës së Bosnjës, përmenden planet e supozuara të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në rajon dhe gjoja kontrolli i dy portaleve kosovare nga pushteti i Vuçiqit, “Nacionale” dhe “Periskopi”.

Një pjesë të artikullit e ka publikuar edhe RTK-ja, dhe për rezultat, disa gazetarë dhe redaktorë të mediumit janë distancuar nga kronika.

Vendimin editorial të RTK-së e kanë dënuar edhe gazetarë të shumtë në Kosovë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, parti opozitare dhe ekspertë të mediave.

Në reagimin e 24 korrikut të organizatave joqeveritare, materiali i RTK-së është konsideruar “informacion dezinformues, me qëllim të sulmimit të mediave online, Nacionale dhe Periskopi”.

Mes tjerash, ata kanë vlerësuar që kjo është një narrativë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, me qëllim të denigrimit të gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre.

“Në vend se të suspendonte të gjithë përgjegjësit për lëshimin e kësaj dezinformate, Bordi i RTK-se u mjaftua me një shprehje të ‘keqardhjes’ për artikullin në fjalë dhe formimin e një komisioni për të “sqaruar situatën” duke mos u distancuar apo kërkuar falje. Është tejet shqetësues fakti që artikullin diznformues të publikuar nga RTK-ja, bordi e ka cilësuar si ‘kontrovers’ dhe ka deklaruar të pavërteta se kinse RTK nuk ka përmendur emrat e mediumeve”, është thënë mes tjerash në reagim.

Aty janë përmendur edhe ato që janë konsideruar lëshime të njëpasnjëshme të bordit të RTK-së në kohën e fundit dhe që kështu është lejuar “shtrirja e dorës së pushtetit në transmetuesin publik”.

Si shembull është përmendur edhe “detyrimi i ish-drejtorit gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj që të dorëhiqet dhe ushtrimi i presionit ndaj tij”.

Bordi i RTK-së ka mbajtur më 23 korrik një mbledhje të jashtëzakonshme dhe përmes një njoftimi ka thënë se është i shqetësuar për publikimin “e artikullit kontrovers në RTK”, që e ka cilësuar si “lëshim të qartë”, duke kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco