Shtohen rastet e tumoreve në Kosovë! Vetëm në gjashtë muajt e parë të 2024 janë identifikuar 1.000 pacientë të rinj

Shtohen rastet e tumoreve në Kosovë! Vetëm në gjashtë muajt e parë të 2024 janë identifikuar 1.000 pacientë të rinj

15:37, 20/07/2024

Mbi një mijë raste të reja me kancer janë identifikuar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke shënuar rritje kështu për 5 për qind të pacientëve të prekur me këtë sëmundje malinje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kanceri i gjirit vazhdon të dominojë, derisa mbi 200 gra dhe një burrë, janë diagnostikuar në stade të ndryshme të sëmundjes. Ndërsa janë 170 meshkuj të prekur nga kanceri i mushkërive.

“Në bazë të dhënave që ne i kemi momentale dhe të cilat i kemi në përpunim e sipër, del që për këto gjashtë muaj gati të kemi një numër përafërsisht të njëjtë si vitin e kaluar, meqenëse këto dy muajt e fundit kemi pak më pak dhe ndoshta pak më shumë se vitin e kaluar. Pra, rreth 1 mijë, 1 mijë e 50 raste të reja të identifikuar me kancer të llojeve të ndryshme me dominim edhe këtë vit të kancerit të gjirit. Dhe janë diku 225 femra të cilat janë identifikuar me kancer të gjirit dhe janë lajmëruar për trajtim në klinikën tonë.

Menjëherë pas saj vijnë sëmundjet e mushkërive tek meshkujt dhe janë diku 170 pacientë të identifikuar me kancer të mushkërive. Ndërkaq, pas këtyre dy patologjive të shpeshta janë edhe sëmundjet e sistemit gastrointenstinal dhe ky numër është, nëse e marrim total si sëmundje totale të zorrës së trashë të lukthit, të pankreasit, të mëlçisë, i dominon pra edhe mushkëritë edhe tumoret e gjirit…Kemi një rritje pak më të lehtë, ndoshta për pesë për qind. Këtë vit ka qenë vetëm një rast me kancer të gjirit mashkull”, tha Ilir Kurtishi-Drejtori i Klinikës së Onkologjisë.

Kurtishi thekson se fluksi i madh i pacientëve në këtë klinikë rrit nevojën për shtimin e numrit të infermierëve. Ai thotë institucionet janë njoftuar dhe shpreson që shpejtë të bëhen zëvendësimet ndërkohë që 90 përqind e ilaçeve të nevojshme janë në këtë klinikë.

“Me barna esenciale qëndrojmë shumë mirë. Ne kemi mbi 90 për qind të barnave të listës esenciale, ndoshta edhe më shumë. Me ardhjen e disa barnave që janë tenderuar nga SH-ja, barna të cilat i kemi pritur disa muaj e që nuk kanë pasur autorizim marketingu, 5 nga ta veç kanë mbërritur”, thotë ai.

Më 20 maj të këtij viti u përurua rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, qendrës së vetme në Kosovë për trajtimin e pacientëve të prekur me kancer, investim ky mbi gjysmë milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco