Rritet konsumi, Kosova po importon 1 milion euro energji elektrike në ditë

Rritet konsumi, Kosova po importon 1 milion euro energji elektrike në ditë

12:15, 18/07/2024

Ngritja e temperaturave që ka prekure këto ditë në Kosovën ka rritur edhe kërkesën për energji elektrike. Aktualisht Kosova po importon 1 milion euro energji. 

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike e Kosovës ka njoftuar se për t’i mbuluar kërkesat e qytetarëve, është duke importuar rreth 1 milion euro energji në ditë.

Në një komunikatë për media thuhet se kërkesa në kohë piku kalon mbi 800 megavate energji, që është “dukshëm mbi mesataren e kësaj periudhe”.

Në këtë situatë thuhet se kanë ndikuar temperaturat e larta, përkatësisht shfrytëzimi i madh i kondicionerëve, si dhe renovimi i një njësie të Termocentralit Kosova B, që, rrjedhimisht, ka zvogëluar prodhimin.

Në komunikatë nuk sqarohet se që sa kohë importohet nga 1 milion euro energji në ditë, por në Kosovë, prej javësh, mbizotërojnë temperatura të larta që u afrohen 40 gradëve të Celsiusit.

Për krahasim, në prill të vitit të kaluar, KESCO ka njoftuar se në 11 ditët e para të muajit, ka importuar rreth 5.4 milionë euro energji elektrike. Atëkohë, në këtë sasi të importit ka ndikuar rënia e temperaturave.

“Në rëndimin e situatës po ndikon edhe fakti që njësia B1 e KEK-ut është në remont të planifikuar vjetor, duke bërë që prodhimi vendor të reduktohet me së paku 250 MW. Pra, aktualisht Kosova nuk po prodhon më tepër se 500 MW. Ndërsa, diferenca ndërmjet prodhimit dhe kërkesës po mbulohet nga importi. E edhe çmimet e importit janë rritur shumë ditëve të fundit. Në berzat e rajonit tonë çmimet po sillen mbi 200 euro për megavat. Kjo po e vështirëson shumë situatën pasi duhet blerë energji nga jashtë me kosto të shtuar”.

Kompania Kosova për Furnizim ka shtuar se në të nxehtin ekstrem është rritur kërkesa për furnizim me energji elektrike “për shkak të përdorimit masiv të kondicionorëve anekënd Kosovës”.

“Deri tek kjo ka ardhur pasi gjatë këtyre ditëve situata elektroenergjetike është vështirësuar tej mase nga disa faktorë. Fillimisht është rritur kërkesa tej mase si pasojë e temperaturave ektreme të ngrohta që po mbizotërojnë në vendin tonë, duke bërë që kërkesa në kohë piku të kalojë mbi 800 megavatë, dukshëm mbi mesataren e kësaj periudhe. Kjo për shkak të përdorimit masiv të kondicionerëve anekënd Kosovës. KESCO mbetet e përkushtuar që ti furnizojë konsumatorët pa ndërprerje me energji elektrike. Por, kërkon nga të gjithë që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike, si një produkt që është jetik për të gjithë sidomos në kohën e kushteve ekstreme atmosferike”.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve.

Të dhënat e Agjencisë se Statistikave të Kosovës, të publikuara në muajin nëntor, tregojnë se prodhimi i energjisë elektrike gjatë muajit shtator të këtij viti ka rënë në krahasim me rrymën e prodhuar gjatë së njëjtës periudhë të vitit paraprak.

Vitin e kaluar, sipas një raportimi të mëhershëm të ZRRE-së, janë importuar mbi 750 mijë megavate energji elektrike, ndërsa nga termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës janë prodhuar rreth 6.35 milionë megavate./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco