Në 25-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi, SHBA i kërkon Serbisë drejtësi

Në 25-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi, SHBA i kërkon Serbisë drejtësi

16:47, 08/07/2024

Departamenti amerikan i Shtetit i bëri thirrje Serbisë që t’i përfundojë hetimet e saj dhe t’i sjellë para drejtësisë autorët e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi.

Në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale, zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, tha se, 25 vjet më parë, shtetasit amerikanë Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi janë vrarë në paraburgimin e policisë serbe. “Sot, autorët e këtij akti brutal mbeten të lirë”, sipas tij.

Vëllezërit Bytyqi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë qenë shtetas të SHBA-së.

Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë atëkohë, hyrjes së paligjshme në Serbi.

Trupat e pajetë të tyre janë gjetur në qershor të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë.

Në 25-vjetorin e vrasjes reagoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se regjimi i Serbisë vazhdon t’i madhërojë kriminelët e luftës, në vend se t’i mbajë përgjegjës.

“Nuk do të pushojmë derisa autorët të përballen me drejtësinë”, shkroi Osmani në X.

Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyqi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.

Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në shkurt të vitit 2019 se vrasja e vëllezërve Bytyqi është një krim i rëndë dhe se Serbia po bën gjithçka që duhet për të hetuar rastin./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco