Dallimi mes shpenzimeve dhe të ardhurave, vetëm 1 në 5 paga në Kosovë konsiderohet si pagë jetese

Dallimi mes shpenzimeve dhe të ardhurave, vetëm 1 në 5 paga në Kosovë konsiderohet si pagë jetese

12:16, 08/07/2024

Vetëm 1 në 5 paga në Kosovë rezulton se përmbushin kriterin e pagës së jetesës sipas gjetjeve në publikimin “Një pagë jetese për punëtorët në Kosovë: Përpjekja për një jetesë bazike por të dinjitetshme”.

Sipas publikimit, hendeku midis pagës së llogaritur të jetesës dhe pagave minimale aktuale është i madh.

Gjetjet nxjerrin në pah një situatë shqetësuese: shumica e pagave në Kosovë, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, nuk arrijnë vlerën e një page të jetesës.

Studimi vë në dukje se ndërsa paga e vlerësuar e jetesës ndryshon pak midis zonave urbane dhe rurale, ajo qëndron në 1,295 euro bruto (1,152 euro neto) në muaj për një familje standarde me katër anëtarë.

Edhe për një punëtor/e që jeton vetëm, paga e kërkuar e jetesës vlerësohet në 816 euro bruto (720 euro neto), e cila gjithashtu ka dallime në varësi të zonës së banimit.

Sipas publikimit, vetëm një në pesë paga aktualisht konsiderohen si pagë jetese, duke çuar në pasiguri ekonomike në mesin e punëtorëve.

“Ne e kemi gjetur se vetëm 1 në 5 paga në Kosovë mund të konsiderohet si pagë jetese”.

“Hendeku mes pagës minimale dhe pagës së jetesës që ne kemi përllogaritur tregon se punëtorët që marrin një pagë minimale nuk janë në gjendje t’i mbulojnë nevojat bazike të jetës. Dhe, megjithëse paga e re minimale do të kishte një rritje të konsiderueshme nga nivelet aktuale, ajo do të ishte ende nën një page jetese”.

Çekuilibri rezulton më i theksuar tek gratë, të cilat përballen me një pabarazi më të madhe krahasuar me burrat. Burrat janë më afër përmbushjes së kufirit të pagës së jetesës sesa gratë në administratën publike.

“Për shkak të pabarazisë në paga që gjendet edhe në sektorë të tillë si administrata publike, ku si burrat ashtu edhe gratë paguhen mesatarisht me një pagë më të lartë se në sektorin privat, paga mesatare e burrave është më afër arritjes së nivelit të pagës së jetesës sesa ajo e grave.

Përderisa paga mesatare e burrave në administratën publike do të duhej të rritet për vetëm €32 për të arritur nivelin e pagës së jetesës, për gratë rritja do të duhej të ishte pothuajse 4 herë më e madhe (€125).” – thuhet në publikim.

Vetëm në disa sektorë, si “Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar”, “Informacioni dhe komunikimi” dhe “Aktivitete të organizatave dhe organeve ekstraterritoriale”, pagat mesatare të të dyja gjinitë e kalojnë pragun e pagës së jetesës. 19-A-living-wage-for-workers-in-Kosova-ALB04.pdf (musineinstitute.org)

Për më tepër, raporti identifikon boshllëqet midis brezave, që prekin veçanërisht punëtorët e rinj dhe të moshuar.

“Në përgjithësi, kemi vërejtur hendeqet më të gjera te ekstremet: tek të rinjtë dhe të moshuarit.

Për ata të moshës 65+, paga mesatare do të duhej të rritet me €531 për gratë dhe €492 për burrat në mënyrë që të arrijë nivelin e pagës së jetesës.

Për ata nga mosha 18 deri në 24 vjeç, paga mesatare do të duhej të rritet me €363 për gratë dhe me €322 për burrat në mënyrë që të barazohej me një pagë jetese.” – thuhet në publikim.

Në përgjigje të këtyre gjetjeve, në publikim sugjerohet veprim i shpejtë nga politikëbërësit, bizneset, sindikatat dhe OJQ-të.

Ndër kërkesat urgjente është thirrja ndaj qeverie për të rritur pagën minimale.

“Vijmë në përfundimin se dallime të tilla të mëdha si këto kërkojnë veprime urgjente nga qeveria për të rritur pagën minimale, nga bizneset për të rritur pagat në sektorët e tyre ekonomikë, nga sindikatat për tu organizuar rreth kauzës për një pagë jetese dhe nga OJQ-të dhe organizata tjera ndërkombëtare që të hartojnë politika që synojnë zhdukjen e varfërisë së punës.”

Kostoja e jetesës dhe paga e jetesës

Përveç vlerësimit të shpenzimeve në nivel vendi, e kemi bërë dallimin mes zonave rurale dhe urbane.

Përllogaritjet tona tregojnë se, për një familje me dy të rritur dhe dy fëmijë, shpenzimi total mujor është €1,152. Në varësi të zonës së banimit, kjo mund të variojë ndërmjet €1,091 (rurale) dhe €1,236 (urbane).

Për një punëtor/e që banon vetëm, shpenzimi mujor llogaritet të jetë €720 dhe mund të variojë nga €674 deri në €775 ndërmjet zonave rurale dhe urbane, respektivisht. Këto përllogaritje përfaqësojnë nivelet e pagës së jetesës që siguron një jetese bazike, por të dinjitetshme.

Dallimet në moshë dhe gjini

Duke pasur parasysh se popullsia e Kosovës është relativisht e re në krahasim me vendet e tjera evropiane, përveç gjinisë, është e rëndësishme të analizohen pagat e marra nga punëtorët në grupmosha të ndryshme.

Megjithëse të moshuarit e moshës 65+ përbëjnë vetëm 4.1% të punësimit total, paga mesatare e tyre është më e ulëta, prandaj hendeku me pagën e jetesës që ne kemi vlerësuar është më i madhi.

Në këtë grupmoshë, paga mesatare do të duhej të rritet për €531 për gratë dhe për €492 për burrat në mënyrë që të arrijë nivelin e pagës së jetesës.

Të rinjtë e moshës 15-24 vjeç përbëjnë 15.9% të punëtorëve, por është grupi i dytë paga mesatare e të cilit ka diferencën më të madhe me pagën e jetesës.

Paga mesatare e grave të reja do të duhej të rritej për €363 dhe e djemve të rinj për €322 në mënyrë që të barazohet me pagën e jetesës.

Sektori publik kundrejt atij privat

Shumica e punëtorëve në Kosovë fitojnë mbi pagën minimale. Pra, përveç krahasimit me pagën minimale, ne kemi përcaktuar edhe hendekun mes pagave të tjera dhe pagës së përllogaritur të jetesës.

Për shkak të palëve të ndryshme të interesit (p.sh., qeveria ose bizneset) që përcaktojnë pagat në sektorë të ndryshëm, kemi bërë dallimin mes sektorit publik dhe atij privat.

Në sektorin publik kemi bërë dallimin mes administratës publike, ku 22.2% e të gjithë punëtorëve janë të punësuar dhe ku pagat caktohen nga pushteti qendror, dhe ndërmarrjeve publike, të cilat e kanë autoritetin t’i përcaktojnë vetë pagat e tyre.

Në sektorin privat kemi bërë dallimin mes bizneseve individuale, të cilat punësojnë 12.2% e të gjithë punëtorëve, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar (SH.P.K.), të cilat përbëjnë punëdhënësin më të madh me 50.1% të punëtorëve, dhe shoqërive aksionare (SH.A.), të cilat punësojnë 10.1% të punëtorëve.

Pavarësisht nga lloji i ndërmarrjes, të gjitha pagat mesatare dhe mediana e pagave janë nën pagën e përllogaritur të jetesës.

Në çdo rast, mediana e pagave është më e ulët se paga mesatare, prandaj hendeku i saj me pagën e përllogaritur të jetesës, siç paraqitet në figurën 3, është më i madh. Në përgjithësi, hendeku në sektorin publik është më i vogël sesa ai në sektorin privat.

Një punëtor/e në administratën publike që merr një pagë mesatare, i bie të marrë 91.6% të pagës së jetesës, që është proporcioni më i lartë ndërmjet pagave mesatare në të gjitha llojet e ndërmarrjeve.

Gjysma e punëtorëve të punësuar në biznese individuale, që punësojnë 12.1% të të gjithë punëtorëve në Kosovë, në rastin më të mirë, fitojnë më pak se 1/3-tën e pagës sonë të përllogaritur.

Në SH.P.K., ku është i punësuar çdo i dyti punëtor në Kosovë, paga mesatare bruto është vetëm 50.3% e pagës së jetesës. Me fjalë të tjera, ¼ e punëtorëve në Kosovë fitojnë një pagë që është nën gjysmën e pagës sonë të përllogaritur të jetesës.

Hendeku mes pagës minimale dhe pagës së jetesës

Ndër arsyet kryesore për përllogaritjen e pagës së jetesës është përcaktimi i dallimit me pagat tjera aktuale në ekonomi. Sërish, ky informacion është i nevojshëm për informimin e politikave që hartohen nga qeveria dhe palët e tjera të interesit, në mënyrë që të sigurohen nivelet e duhura të pagës minimale.

Tabela paraqet një krahasim ndërmjet niveleve aktuale të pagës minimale (€130 për punëtorët nën 35 vjeç dhe €170 për punëtorët mbi 35 vjeç), pagës minimale potenciale (€264)13 dhe pagës së vlerësuar të jetesës.

Për një familje standarte, kemi supozuar se të dy të rriturit marrin nga një pagë minimale. Nëse janë nën 35 vjeç, atëherë do të fitonin vetëm 20.1% të pagës bruto të jetesës ose 21.1% të pagës neto të jetesës. Nëse janë mbi 35 vjeç, atëherë do të fitonin vetëm 26.2% të pagës bruto të jetesës ose 27.5% të pagës neto të jetesës. Nëse paga minimale rritet në €264, do të ishte një rritje e konsiderueshme në krahasim me nivelet aktuale të pagës minimale, por megjithatë do të mbulonte vetëm 40.8% të pagës bruto të jetesës ose 43.4% të pagës neto të jetesës.

Për një punëtor që është nën 35 vjeç, fitimi i një page minimale do të ishte ekuivalent me vetëm 15.9% të pagës bruto të jetesës ose 16.9% të pagës neto të jetesës. Një punëtor mbi 35 vjeç do të fitonte vetëm 20.8% të pagës bruto të jetesës ose 22% të pagës neto të jetesës. Nëse paga e re minimale zbatohet, atëherë një punëtor do të fitonte ende vetëm 32.3% të pagës bruto të jetesës ose 34.7% të pagës neto të jetesës./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco