E djathta ekstreme e Serbisë, thirrje Vuçiçit të injorojnë BE dhe të mbështesë Rusinë

E djathta ekstreme e Serbisë, thirrje Vuçiçit të injorojnë BE dhe të mbështesë Rusinë

12:43, 02/06/2022

"Çdo hap drejt vendosjes së sanksioneve do ta dëmtojë vetëm Serbinë,jo Rusinë”, deklaron Andrej Mitiq, sekretar ndërkombëtar i partisë së ekstremit të djathtë, Dveri, teksa shijon një gotë limonadë në hollin mbretëror të Hotel Moskva të Beogradit.

"Për këtë arsye ne i shohim këto politika aktuale anti-ruse si politika anti-serbe... Ne shohim rreziqe të mëdha për interesat dhe vlerat e popullit [serb]", thotë ai, shkruan radio Evropa e Lirë.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përballet me presionin ndërkombëtar për t'iu bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë mbi pushtimin e saj të Ukrainës më 24 shkurt, politikanët nga e djathta ekstreme e Serbisë -- politikanë si Mitiq – janë ata që janë më të zëshmit duke i bërë thirrje qeverisë që t’i injorojë kërkesat e BE-së dhe ta mbështesë Rusinë.

Deri më tani, Vuçiq, i cili u betua për një mandat të dytë presidencial më 31 maj, ka ndjekur linjën dhe ka refuzuar t'iu bashkohet sanksioneve të BE-së, të cilat kanë shënjestruar sektorin energjetik dhe atë financiar të Rusisë, si dhe individë të profilit të lartë. Interesat kombëtare të Serbisë, ka argumentuar presidenti serb, varen nga ruajtja e marrëdhënieve miqësore me të gjithë partnerët e saj ndërkombëtarë, jo vetëm me Brukselin.

Brenda BE-së, Vuçiq është përballur me kritika nga politikanë dhe diplomatë. Carl Bildt, i cili shërbeu si i dërguar i Posaçëm i BE-së në ish-Jugosllavi në vitet 1990, tha më 28 shkurt se pozicioni i Serbisë ndaj pushtimit rus duhet ta diskualifikojë atë nga procesi i pranimit në BE.

Dhe më 21 mars, ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis, bëri thirrje që vendet që bëjnë tregti me Rusinë të përballen me ndëshkime.

Edhe pse Vuçiq fitoi bindshëm në zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe komunale të 3 prillit, dy parti ultranacionaliste hynë në Parlamentin e Serbisë, një zhvendosje për të cilën Vuçiq fajësoi pasojat e pushtimit rus të Ukrainës.

Një parti relativisht e re në skenën politike të Serbisë, Dveri, shërbeu për një mandat të vetëm parlamentar midis 2016-2020 dhe u rikthye në asamblenë kombëtare në prill, së bashku me një parti tjetër ultranacionaliste, Zavetnici (Të përbetuar), të cilët po hynin për herë të parë në Parlament.

"Dveri mbështet pozicionin aktual politik të Rusisë dhe beson se Rusia është detyruar të përgjigjet pasi u rrethua nga NATO", thotë Mitiq, me zërin e tij të butë dhe me mirësjellje, në kundërshtim me retorikën e tij populiste dhe pikëpamjet euroskpetike.

Për Serbinë nuk është një vendim i lehtë gjeopolitik. BE-ja është bamirësi kryesor ekonomik dhe partneri tregtar për vendin, por Beogradi është plotësisht i varur nga importet e energjisë ruse dhe nga mbështetja gjeopolitike e Moskës për të bllokuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Gjatë gjithë periudhës dhjetëvjeçare të Vuçiqit në qeveri, ku ai shërbeu si kryeministër dhe president i vendit, Serbia ka mbetur neutrale, duke zhvendosur në mënyrë oportuniste besnikërinë e saj gjeopolitike nga BE-ja, Rusia dhe Kina sa herë që e shihte të arsyeshme.

Mitiq shërben si baza intelektuale e Dverit dhe, sipas vetë fjalëve të tij, ka për detyrë të përkthejë teorinë politike në politika konkrete për partinë. Prejardhja e tij lidhet me filozofinë politike dhe ai thotë se u largua nga akademia për t'iu bashkuar partisë si këshilltar në vitin 2018.

Ai është gjithashtu zëdhënës i Dverit për mediat ndërkombëtare dhe sjellja e tij medituese është në kundërshtim të plotë me imazhin e brendshëm të partisë, e cila ndërlidhet së tepërmi me liderin e saj radikal dhe të zhurmshëm, Bosko Obradoviq.

I pyetur për të argumentuar mbështetjen e tij për Rusinë, Mitiq flet për varësinë e Serbisë ndaj energjisë ruse dhe mbështetjen e Moskës mbi çështjen e Kosovës, si dhe lidhjet e qëndrueshme historike dhe kulturore ndërmjet dy kombeve "vëllazërore".

Për sa i përket një zgjidhjeje mbi çështjen e vështirë të sanksioneve, ai thotë se qëndrimi zyrtar i Dverit është se çdo vendim i tillë duhet t'i paraqitet popullit serb në referendum.

Partia Zavetnici, e cila fitoi gjithashtu 10 vende në Parlamentin serb dhe më pak se 4 për qind të votave në zgjedhjet e prillit, mbështet gjithashtu idenë e një referendumi për sanksionet. Në një konferencë për shtyp të 12 majit, ku ishin të pranishëm vetëm dy gazetarë, liderja e partisë, Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, shpalosi qëndrimin e saj për Rusinë, i cili është identik me atë të Dverit: jo sanksioneve ndaj Rusisë dhe çdo vendim i tillë duhet të vendoset me referendum.

Gjurgjeviq-Stamenkovski u bë e njohur për publikun në vitin 2008 kur ajo luajti një rol kryesor në protestat e dhunshme që shpërthyen pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Që atëherë, ajo ka qenë shtylla kryesore e politikës së rrugës së krahut të djathtë në vend. Ajo gjithashtu mori pjesë në demonstratat që shprehnin mbështetjen për presidentin sirian, Bashar al-Assad, dhe aneksimin e Krimesë nga Putini.

Kur Radio Evropa e Lirë e pyeti Gjurgjeviq-Stamenkovskin se pse duhet të ketë një referendum për çështjen e sanksioneve kur populli serb sapo i dha një mandat të qartë Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, ajo thotë se "marrëdhëniet serbo-ruse janë një konstantë shekullore, në shoqërinë serbe”.

"Çështja e sanksioneve ndaj Federatës Ruse është shumë më specifike, më e dhimbshme dhe do të kishte pasoja më drastike për vendin tonë sesa për ndonjë shtet tjetër", thotë Gjurgjeviq-Stamenkovski.

Kjo është arsyeja pse, sipas saj, çdo vendim që mund t'i rrezikojë këto lidhje, duhet të vendoset vetëm me një votim mbarëkombëtar.

Nga ana ideologjike, shumë pak i ndan partitë Dveri dhe Zavetnici. Të dyja partitë janë ultranacionaliste, e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe mbështesin marrëdhëniet më të ngushta me Rusinë.

Dallimi kryesor midis tyre është se Dveri mbështet një kthim në sundimin monarkik, promovon pikëpamje konservatore fetare dhe ka një reputacion më pak huligane sesa Zavetnici, protestat e së cilës shpesh kanë çuar në dhunë dhe trazira në të kaluarën. Si për shembull, në tetor 2020 kur partia protestoi kundër artistëve shqiptarë nga Kosova që ekspozonin punët e tyre në Beograd.

Pavarësisht dallimeve minimale, të dy partitë janë aleate të natyrshme dhe Mitic konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Dveri ka zhvilluar bisedime me Zavetnicin dhe miqtë e tjerë pro-rusë, Partinë Socialiste të Serbisë, se si ata mund të përdorin platformën e tyre të kombinuar parlamentare për të mbajtur nën presion Vuçiqin për ta parandaluar presidentin serb të bëjë lëshime mbi sanksionet.

Blloku pro-rus, i cili përfshin gjithashtu Partinë Demokratike të Serbisë të qendrës së djathtë, mban 66 nga 250 ulëset në Parlamentin e ri të Serbisë -- ende më pak se gjysma e numrit të vendeve që i përkasin SNS-së në pushtet.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Vuçiq nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Sipas analistit politik nga Beogradi, Dragomir Angjelkoviq, rreziku real i vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga Serbia vjen nga revolta e mundshme brenda partisë së Vuçiqit.

"Unë besoj se çdo veprim i këtij lloji nga Vuçiq do të provokonte një reagim të madh brenda SNS-së", thotë Angjelkoviq. "Votuesit e tyre janë kundër sanksionimit të Rusisë dhe shumica e anëtarëve të partisë ndajnë të njëjtat pikëpamje me shumicën e zyrtarëve të partisë. Sigurisht, në krye të partisë, zyrtarët do të heshtnin dhe do të ndiqnin linjën e kryesisë, por [sanksionet] do të çonin në protesta serioze në nivelet më të ulëta dhe mes bazës së partisë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco