Komisioni bëri shkelje, kompletimi i stafit akademik te Mjekësia në duart e rektoratit dhe qeverisë

Komisioni bëri shkelje, kompletimi i stafit akademik te Mjekësia në duart e rektoratit dhe qeverisë

11:00, 13/01/2022 Nga Ç.D

Fakulteti i Mjekësisë është më i lakmuari, ndërsa presionet e ndërhyrjet për t’u punësuar aty janë të shumta.

Ka pothuaj 10 muaj që nga hapja e konkursit për zgjedhjen, rizgjedhjen dhe rekrutimin e stafit akademik të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë, megjithatë jo të gjitha pozitat janë plotësuar, shkruan Syri.net Kosova.

Syri.net përmes burimeve të saj merr vesh se ky konkurs i rregullt me nr. 804 të datës 14 Maj, 2021 qe dy herë që po shtyhet.

Në konkursin e fundit është paraparë të pranohen, rizgjidhen, apo avancohen 15 mësimdhënës dhe 38 asistentë, ku prej këtij numri nuk kanë arritur të zgjidhen vetëm 5 mësimdhënës dhe një asistent në lëndët e Kirurgjisë.

Syri ka kontaktuar me dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë për të marrë informata më të hollësishme në lidhje me arsyet pse sërish ka ‘dështuar’ ky konkurs, pozitat e të cilës lidhen me katedrën e Kirurgjisë.

Në një përgjigje nga prodekani i këtij fakulteti, Valon Krasniqi, deklaron se ky konkurs nuk është shtyrë, por që ka përfunduar në datën 6 janar të këtij viti me vendim të Senatit të UPHP-së.

 “Konkursi për rekrutimin e stafit akademik të rregullt me nr. 804 të datës 14 Maj 2021 nuk është shtyrë por ka përfunduar në datën 6 janar 2022 me vendim të Senatit të UPHP.  Fakulteti i Mjekësisë edhe në konkursin e fundit për përzgjedhjen e stafit akademik të rregullt ka punuar bazuar në statutin e UP dhe në rregulloren nr 121 të datës 16.02.2021 për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik të Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina”. Kjo do të thotë se të gjithë ata aplikantë që i kanë plotësuar kërkesat e Statutit dhe Rregullores nr 121 të datës 16.02.2021 janë pranuar si staf i rregullt, janë rizgjedhur apo janë avancuar në një thirrje më të lartë”, tha Krasniqi.

I pyetur se cilat janë kriteret apo normat të cilat kërkohen për plotësimin e këtij konkursi, prodekani thotë se të gjitha kriteret për pranim për herë të parë, për rizgjedhje apo avancim janë të specifikuara në rregulloren nr 121 të datës 16.02.2021 të UP-së e cila është publike në faqen zyrtare të UP-së.

“Të gjitha kriteret për pranim për herë të parë, për rizgjedhje apo avancim janë të specifikuara në rregulloren nr 121 të datës 16.02.2021 të UP-së  e cila mund të shkarkohet në çdo kohë nga ueb faqja zyrtare e UP-së. Në konkursin e fundit është paraparë të pranohen, rizgjidhen, apo avancohen 15 mësimdhënës dhe 38 asistentë. Nga ky numër nuk kanë arritur të zgjidhen vetëm 5 (pesë) mësimdhënës dhe një asistent në lëndët e Kirurgjisë”.

Tutje, Krasniqi ka dhënë detaje në lidhje me konkursin dhe pozitat e paplotësuara, ku sipas tij Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë ka shqyrtuar të gjitha recensionet recensionet e recensentëve për zgjedhjen – rizgjedhjen dhe avancimin e kandidatëve në thirrjet përkatëse, derisa i njëjti Këshill ka dal me një konstatim dhe kërkon që për këtë çështje të vendos Senati.

“Lidhur me pozitën numër 10 (pesë mësimdhënës) dhe pozitën numër 29 (1 asistent), Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë në mbledhjen e mbajtur me 05.01.2022, duke ju referuar BULETINIT NR. 29. Dt. 15.12.2021, të referateve të kandidatëve të paraqitur për zgjedhjen e personelit akademik, të publikuar në ueb – faqen e Universitetit të Prishtinës për zgjedhjen – rizgjedhjen dhe avancimin e personelit Akademik, shqyrtoi raportet e komisioneve recensuese të konkursit të shpallur me nr. 804 të datës 14 Maj 2021 dhe miratoi raportin e komisionit të ankesave me nr. 38 të datës 05.01.2022 për përzgjedhjen e personelit Akademik. Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë, shqyrtoi recensionet e recensentëve për zgjedhjen – rizgjedhjen dhe avancimin e kandidatëve në thirrjet përkatëse dhe me shumicë votash, konstatoi:

1.       Se komisioni vlerësues nuk ka vepruar sipas nenit 12 paragrafi 22, 23, 24, 25, 26, për pozitën nr. 10 për mësimdhënës dhe pozitën nr. 29 për Asistent, bazuar në rregulloren me nr. 191 të datës 16.02.2021.

Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë propozon që Senati të vendosë për këtë çështje.

2.      Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë propozon të rishpallet konkurs për nevojat e katedrës së Kirurgjisë duke përmirësuar paraprakisht, rregulloren për procedurat vlerësuese lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik, konform specifikave të Fakultetit të Mjekësisë”, nënvizoi ai.

Syri.net ka provuar të shoh edhe faqen e Buletinit të faqes zyrtare të UPHP-së të po këtyre datave për të cilat bëhet fjalë, por e njëjta faqe nuk duket të jetë në funksion.


Krasniqi u shpreh se Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë  i propozon Rektorit dhe Senatit të UP-së, që në konsultim me Ministren e Arsimit dhe Ministrin e Shëndetësisë, të gjendet ose të krijohet baza ligjore për hapjen e konkursit për të gjithë Asistentët e rregullt të Katedrës së Kirurgjisë.

Ndërkaq i pyetur se kur do të shpallet konkursi i radhës, Krasniqi tha se vendimin për shpalljen e konkursit të radhës e merr Rektorati i UPHP dhe nuk varet nga njësitë akademike.

Syri.net Kosova ka kontaktuar edhe me Rektoratin e UPHP-së, për të mësuar se kur do të rihapet ky konkurs, megjithatë të njëjtit nuk kanë kthyer as edhe një përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco