'Shqiptarët ta presin me protesta njeriun e Milosheviçit': Flasin analistë dhe politikanë kosovarë

'Shqiptarët ta presin me protesta njeriun e Milosheviçit': Flasin analistë dhe politikanë kosovarë

10:43, 21/12/2021

Vizita e presidentit të Serbisë me ftesë të Edi Ramës në Tiranë për të diskutuar rreth nismës së ‘Ballkanit të Hapur”, ka nxitur reagime të ashpra dhe protesta të paralajmëruara para qeverisë së Shqipërisë. Lideri demokrat Sali Berisha i ftoi shqiptarët të bashkohen në kundërshtimin e kësaj ideje të mbrapshtë për kombin shqiptar, njofton Syri net Kosova.

Ndërkohë, gazetarë, analistë dhe politikanë kosovarë me kredibilitet publik, kanë bërë thirrje që të protestohet kundër këtij partneriteti Rama-Vuçiç, që po e faktorizon Serbinë në kurriz të shqiptarëve. Eksperti i mediave dhe ligjëruesi Gëzim Mekuli i ftoi dje shqiptarët të protestojnë kundër ‘Hitlerit’, siç e quan ai ish-Ministrin e Milosheviçit.

"Sot në Tiranë duhet trembur gogoli plak 150-vjeçar. Sot në Tiranë e në Prishtinë duhet me e tutë e me detyru me ikë, shpirtin e pavdekur të Ivo Andriçit e të Çubrilloviçit. Sot po vjen Hitleri i shqiptarëve në mesin e shqiptarëve. E ka ftuar Edi Rama”, ka shkruar Mekuli në një status të postuar në Facebook.

Protestë kundër kriminelit

As profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Muhamet Kelmendi, nuk i kursen akuzat kundër Vuçiçit. “Kundër vizitës së kriminelit Vuçiç dhe politikës serbe duhet demonstruar në Tiranë. Tash po zhvillohet në Tiranë takimi i radhës midis tri shteteve, Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut lidhur me "Ballkanin e Hapur".

Nga Kosova është vlerësuar ky si një mekanizëm i dëmshëm, sepse Serbia ende nuk ka marrë asnjë veprim për të përmirësuar raportet me Kosovën. Nuk e njeh shtetin e Kosovës. Nuk po i gjen të masakruarit të mbartur nga Kosova në Serbi dhe nuk po jep përgjegjësi për dhunën e terrorin. Askush nuk është përgjigjur për dëbimet masovike të shqiptarëve dhe përdhunimet. Nuk ka bërë as reparacione të luftës. Për më tepër, punon vazhdimisht kundër shtetit të Kosovës dhe pretendon ripushtimin a ndarjen e Republikës. Këto janë faktet pse Kosova është kundër”, ka shkruar Kelmendi. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e thirrur nga Berisha.

“Demonstrata duhet të jetë kundër Vuçiçit, shtetit serb dhe politikës serbe kundruall shqiptarëve dhe Kosovës”, ka shkruar Kelmendi.  

Ish-kryenegociatorja në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri gjithashtu e ka ngritur zërin kundër idesë së ‘Ballkanit të Hapur”. Ajo është e bindur se një nismë e tillë favorizon hegjemoninë serbe.

“"Ballkani i Hapur" do të vendos popujtë nën hegjemoninë serbe...Kështu ëndërron Vuçiçi në prag të arritjes në Tiranë. Mirëpo, opozita e ringjallur e Shqipërisë do t'i tregojë se ai vetëm mund të ëndërrojë. Protestat në Tiranë janë edhe në mbrojtje të Kosovës dhe duhet të përkrahen nga gjithë shqiptarët!”, ka theksuar Tahiri.

‘Ballkani i hapur’, ku marrin pjesë vetëm Shqipëria, Serbia e Maqedonia, është një nismë e vjetër e Serbisë. Kryetari i parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiç, ka konfirmuar edhe të hënën se “Ballkani i Hapur” është ide e Serbisë. Daçiç ka theksuar se nisma “Ballkani i Hapur” paraqet aplikim të vlerave evropiane dhe se është në interes për qytetarët, por e vërteta është se Serbia është e interesuar të zgjerojë ndikimin e vet, duke mbajtur peng Kosovën dhe duke shtrirë ndikimin e mbështetur edhe nga Tirana zyrtare.

Protesta dje nisi në orën 16.00 para Kryeministrisë në Tiranë, ku qenë përforcuar masat e sigurisë./Syri.net Kosova.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco