Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në një bashkëbisedim të organizuar nga UNICEF më rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Kurti, në fjalën e tij tha se pavarësisht se në çfarë vendi e rrethana lindin, të gjithë fëmijët duhet ta kenë mundësinë për tu rritë në mjedis të sigurt e të shëndetshëm, që sipas tij, ua mundëson atyre që ta përmbushin potencialin e vet.
Më tej, i pari i qeverisë tha se pandemia e COVID-19 ka sjell pasoja shkatërruese edhe për fëmijët, të drejtat, mirëqenien dhe zhvillimin e tyre.
“Ndonëse pandemia dhe recesioni shoqërues ka ndikuar në disponueshmerinë e burimeve është e domosdoshme që të drejtat e fëmijëve të jenë prioritet”, është shprehur Kurti.
Tutje, ai tha se krahas mbrojtjes nga të gjitha format e diskriminimit, duhet siguruar që demokracia nuk po i diskriminon fëmijët.
Kujtojmë se sot janë mbushur 62 vjet nga deklarata për të Drejtën e Fëmijëve nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe 32 vjet nga Konventa për të Drejtat e Fëmijëve.
© SYRI.net