COVID po i shkatërron kosovarët: Prof. Agani dhe Prof. Kamberi analizojnë vetvrasjet dhe dhunën

COVID po i shkatërron kosovarët: Prof. Agani dhe Prof. Kamberi analizojnë vetvrasjet dhe dhunën

07:54, 17/11/2021

Janë drithëruese të mendohen vetëm si nocione, duke mos e menduar pjesën se sa të rënda janë në praktikë, sidomos kur ato kryhen nga njerëzit apo në njerëz më të cilët ndajmë përditshmërinë. Fjala është për vrasjet, vetëvrasjet e dhunën, që janë bërë një fenomen global në rritje, e sidomos që në medie raportimi i tyre ka nisur me të madhe. "Syri.net Kosova" sjell më poshtë versionet se përse po rritet ky fenomen dhe çka duhet bërë që të bëhet sensibilizim më i madh, në zvogëlimin e tij.

Nga Çlirimtare Dukolli

“Kryen vetëvrasje, e reja bie nga kati i nëntë”. Ky është një nga titujt më të shpeshtë të cilin mund ta lexojmë thuajse çdo ditë, në shumë media online në Kosovë. Një përditshmëri e tillë, kaq e frikshme dhe shqetësuese, na lë të kuptojmë se me çfarë probleme të mëdha, përballemi si shoqëri. Kjo dukuri më shumë se kurrë është shpërfaqur gjatë pandemisë, por, në këtë rritje të këtyre padyshim se ndikojnë faktorë të shumtë. Një fenomen i tillë nuk po lë anash as Kosovën, shkruan Syri.net Kosova.

Rritja e numrit të vrasjeve, vetëvrasjeve si dhe dhunimeve në Kosovë, rëndom i është atribuuar faktorëve ekonomikë dhe social, e që tani një rol të rëndësishëm po luan edhe pandemia Covid-19.  Shifrat e këtyre rasteve janë të konsiderueshme, vetëm gjatë dy viteve të fundit, në bazë të statistikave të Policisë, siguruar për Syrin, janë shënuar mbi 46 vrasje, derisa në krahasim me vitin 2018/19 ishin vetëm 36 sosh.

Ky fenomen në rritje, padyshim që ka edhe një shpjegim ani pse shpjegimet e tilla nuk e arsyetojnë dot aktin. Madje Syri përmes burimeve merr vesh se gjatë periudhës së pandemisë janë katërfishuar konsultat e qytetarëve me psikiatër dhe psikologë.

Por, si sheh këtë fenomen profesor Ferid Agani, në aspektin neuropsikiatrik?

Agani në një prononcim për Syrin, thotë se shkaqet për rritjen e dhunës në shoqëri në rrethanat e pandemisë Covid-19 janë shumëfaktoriele.

“Shkaqet për rritjen e dhunës në shoqëri në rrethanat e pandemisë Covid-19 janë shumë-faktoriele dhe në shumë aspekte ende të pasqaruara në tërësi. Megjithatë, nga aspekti profesional psikiatrik, është pritur që çthurrja e rrjetave mbështetëse sociale të ndryshojë veçoritë e sjelljes njerëzore dhe atë veçanërisht në rrethanat e pasigurisë, izolimit social e restriksioneve të shumta pandemike si ngarkesa plotësuese stresogjene të cilat duhet përballuar”, shprehet Agani.

Sipas tij,25% e popullatës tonë të rritur mbi 15 vjeç, kanë pasur shenja dhe simptoma të çrregullimit të stresit posttraumatik, 41.8% të distresit emocional, ndërkaq, 43.6 % të depresionit në tridhjetë vitet e fundit, e që për këtë ka një shpjegim.

“Qytetari i Kosovës ka qenë i ekspozuar, së paku në tridhjetë vitet e fundit, shkallës së lartë të stresit psikosocial, në radhë të parë nga veprimet gjenocidale të pushtetit serb e si rezultat i kësaj, sipas dy studimeve të bëra në vitet e pas luftës, bashkautorë i të cilave kam qenë, 25% e popullatës tonë të rritur mbi 15 vjeç ka pas shenja dhe simptoma të çrregullimit të stresit posttraumatik, 41.8% të distresit emocional ndërkaq 43.6 % të depresionit. Mbi këtë substratsociopsikologjik, në dy dekadat e fundit, janë shtresuar ngarkesa të vazhdueshme psikologjike, sociale, ekonomike e politike të periudhës tranzitore të themelimit e ndërtimit të shtetit. Gjitha këto zhvillime stresogjene e shpesh traumatike kanë shkaktuar shpenzimin e pandalshëm të fuqive përballuese, në radhë të parë psikologjike, të qytetarëve dhe me këtë, rrjedhimisht, rritjen dhe akumulimin e shkallës së ankthit dhe agresivitetit në shumë prej tyre varësisht prej në radhë të parë predispozitave të tyre gjenetike”, përfundoi ai.

Për rritjen e këtyre rasteve, pohon edhe sociologu Ferdi Kamberi, i cili thotë se pandemia globale ka rritur dukshëm këtë fenomen, të cilat kanë qenë të pranishme në mjedisetImage sociale, por jo në këtë mënyrë.

“Pandemia globale e COVID 19, ka shkaktuar probleme dhe pasiguri, njëkohësisht ka rritur nevojën për konsultime psiko sociale. Po ashtu, pandemia globale ka rritur dukshëm numrin e vrasjeve, vetëvrasjeve, pastaj dhunën në familje, si dhe dukuri të tjera, të cilat kanë qenë të pranishme në mjediset sociale, por jo në këtë mënyrë. Një gjë e tillë vërehet anë e mban botës, por dukshëm edhe në Kosovë, pasi që në media pothuajse cdo ditë raportet për konflikte, dhunë, vrasje, vjedhje, delikuencë, sjellje devijante e kështu me radhë. 

Sociologët janë të mendimit se janë disa faktorë që kanëndikur që këto fenomene të rritën: zgjatja e pandemisë globale, karantinimi, hapësirat e vogla brenda për brenda banimit, ndikimi i fakeneës-it ose lajmeve të rreme, pasiguria sociale dhe rezistenca ndaj ndryshimeve, stresi i lartë, depresioni, ankthi, stresi post-traumatik, pasi që si shoqëri kemi dalë nga lufta në vitin 1999 dhe këto probleme na kanë përcjellë nëvazhdimësi”, deklaron Kamberi për Syrin.

Ai thekson nevojën që institucionet publike, së bashku me akterët e organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe ekspertëve të fushave sociale të hartojnë strategji për minimizimin e problemeve të tilla.

“Të fuqizohet komunikimi ndërmjet shoqërisë qoftë përmes formave virtuale ose formave të tjera, të stimulohen bizneset dhe ndihma ndaj personave të cenueshëm, mediat të kenë vëmendje më të madhe gjatë raportimit, të identifikohen lajmet e rreme dhe të minimizohen ato, në rast të problemeve të tilla, të konsultohen ekspertët e fushës, etj” theksoi ai.

Ndërsa për parandalimin e këtyre rasteve, Policia për Syri.net deklaron se në vazhdimësi po marrin hapa konkret për të evituar aktet e tilla.

“Policia e Kosovës rastet e vrasjeve i trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente ndërmerr të gjitha masat e nevojshme  për kompletim dhe procedim të rasteve në organet e drejtësisë.

Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalim qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo terthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të qojnë tek kryerja e akteve të tilla.

Në aspektin e parandalimit përveç Policisë duhet luajtur rolin e tyre edhe akterët tjerë të cilët kanë obligime institucionale dhe shoqërore në funksion të vedijësimit apo senzibilizimit të shoqërisë lidhur me pasojat që mund të vijnë nga veprimet e kundërligjshme në përgjithësi.Rastet e vrasjeve në përgjithësi janë shqetësuese dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Vrasjet dhe vetëvrasjet, por edhe format e tjera të shfaqjes së dhunës, në Kosovë po kryhen nga gjitha gjinitë, e thuajse nga gjitha moshat, duke bërë kështu të nënkuptohet se është një problem më i thellë e më i madh, në zbutjen e të cilit mund të ndikojnë shumë gjëra, duke nisur nga fushatat sensibilizuese e deri te vendimet për dënimin e personave që vrasin apo dhunojnë./SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco