Për Albinin, shyqyr që nuk ka shpejt zgjedhje parlamentare

Për Albinin, shyqyr që nuk ka shpejt zgjedhje parlamentare

17:00, 16/11/2021

Balotazhi i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, ku për herë të dytë në garë zgjedhore shkuan 21 komuna, ishte goditës për Albin Kurtin. Rezultati që u dha të dielën me 14 nëntor, ndryshoi hartën politike të 14 shkurtit. Duke qenë se i gjithë fokusi është te Lëvizja Vetëvendosje!, e cila pësoi rënie të madhe të votave në krahasim me votat që mori në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, Syri.net Kosova bisedoi me disa njohës të zhvillimeve politike,, rreth gjendjes së krijuar në politikën kosovare pas zgjedhjeve lokale. Dikush fajëson qeverisjen jo të mirë, e dikush tjetër  e lidh ndryshimin me reformat në partitë kosovare.

Erdonit HOXHA

Zgjedhjet lokale të 14 nëntorit, kanë dhënë vulën e fundit të gjendjes aktuale në vend, sa u përket partive më favorite te qytetarët. Rezultati i këtyre zgjedhjeve, tregoi edhe njëherë se populli di t’i ndëshkojë ata që premtojnë e nuk realizojnë ato që thonë.

Të paktën kështu po cilësohet nga njohësit e kësaj fushe, të cilët rritjen e PDK-së dhe LDK-së si dhe  rënien e Vetëvendosjes në nivel lokal, ia atribuojnë mospunës së Albin Kurtit, në këta muaj, si kryeministër i vendit.

Përpos kësaj, një nga faktorët e këtyre rritjeve e zbritjeve në vota, po këta njohës po e konsiderojnë edhe ndryshimin e kryetarëve të dy partive, PDK dhe LDK.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, profesori Nexhmedin Spahiu, ka thënë se në rezultatin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, ndikimin më të madh e ka pasur mosqeverisja e mirë e Kurtit, se sa ndryshimi i kryetarëve të partive më të mëdha politike.

“Nuk mendoj që ka ndikuar ndryshimi i kryetarëve të partive politike, përpos në LDK. Është dështimi i Albin Kurtit në mosqeverisjen e mirë që e ka sjellur këtë rezultat, pasi, është i njëjti elektoral që ka votuar në këto zgjedhje, me atë të zgjedhjeve të kaluara. Albin Kurti për kaq muaj sa është në krye të qeverisë përpos aksionit të suksesshëm në veri të vendit, të organizuar nga MPB-ja, nuk ka bërë ndonjë arritje tjetër. Asnjë ministri s’është që ka bërë ndonjë punë të madhe, për shembull MI-ja, rruga Mitrovicë-Prishtinë që nëntë muaj nuk ka lëvizur fare, e të mos flasim për ndonjë ministri tjetër” theksoi Spahiu.

Madje, profesori theksoi faktin se votat në këto zgjedhje lokale janë dhënë pro apo kundër Albin Kurtit, e nuk janë votuar vetëm kandidatët që kanë qenë për kryetar komunash.

I pyetur se a do fitonte Albin Kurti nëse do mbaheshin zgjedhjet nacionale në kohë të afërt, profesori Spahiu tha se nëse mbahen tani këto zgjedhje, Kurti do fitonte aq sa ka fituar në zgjedhjet lokale.

“Nëse zgjedhjet kombëtare do mbaheshin në këtë periudhë të shkurtë kohore, Kurti do fitonte aq sa ka fituar në zgjedhjet e fundit lokale. Por, nëse mbahen pas 2 apo 3 muaj, mbase ai do reflektonte sa i përket qeverisjes dhe rezultatet do t’i kishte ndryshe” tha Spahiu.

Ndryshe nga Spahiu mendon publicisti Milaim Zeka.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, Zeka tha se ardhja në krye të partive e Lumir Abdixhikut dhe Memli Krasniqi ka ndikuar shumë, pasi, këta dy emra nuk i kanë keqpërdor emrat e figurave historike për fushatë, siç kanë bërë kryetarët e mëhershëm.

“Po, ka pasur ndikim ky ndryshim, pasi, si Lumiri, ashtu edhe Memli gjatë fushatës asnjëherë nuk janë thirr në emra të figurave historike siç është Ibrahim Rugova apo në emra të UÇK-së. Që të dy para njerëzve kanë folur vetëm programet qeverisës që i kanë përgatitur për ta” tha Zeka.

I pyetur se te këta liderë partish a kanë ndikim emrat e kryetarëve që dhanë dorëheqje nga ky post, Zeka theksoi se jo.

“Jo, Lumiri nuk ndikohet nga Isa Mustafa, ashtu siç nuk ndikohet as Përparim Rama. Bile, Përparimi le që nuk ndikohet nga Isa, por, nuk ndikohet as nga Lumiri, ai krejt ku mundet mu ndiku, është nga ndonjë person që ja jep ndonjë ide të mirë, për ndonjë projekt” theksoi Zeka.

Po ashtu, publicisti komentoi edhe pozitën e LVV-së në zgjedhjet lokale, duke thënë se edhe në komunat ku kjo lëvizje fitoi, nuk fitoi pa ndihmën e partive që i kishte në koalicion.

“Podujevën nuk e ka fitu Shpejtim Bulliqi, por, e ka ndihmuar LDK që ta fitoj, pasi, Agim Veliu nuk e përkrahi fare kandidatin e LDK-së për këtë qytet, ose, Kamenicën për shembull, LVV fitoi veç pse e ndihmuan AAK-ja dhe PDK-ja” shtoi ai.

E, për Syri.net Kosova, Zeka i kishte disa fjalë edhe për Albin Kurtin.

“Albin Kurti është dashuru në vete e i ka ra msysh. Ai është rrenci e abuzuesi më i madh i shekullit, bile e kam thënë edhe më herët se Zoti i fal të gjithë përpos rrencave. Sikur t’i kish mbajt ai veç 30% të premtimeve, ish kon rezultati ndryshe, po, ai u ardh në pushtet me rrena e mashtrime. Po ashtu, sikur t’kish pas Albin Kurti kod moral, sot ish dasht me jap dorëheqje, po  ai s’ka” përfundoi Zeka.

Ndryshe nga dy analistët, politologu kosovar, Dorajet Imeri, ka bërë një listim të faktorëve, që ndikuan në zgjedhjet lokale të 14 nëntori.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, ai tha se janë bërë disa gabime nga partitë politike, që e sollën këtë rezultat.

“Rezultati i zgjedhjeve lokale, nuk duhet te shihet si një përmbysje e rezultatit te zgjedhjeve nacionale, pasi në garë ishin kandidatët për kryetarë të komunave dhe asamblistët dhe jo liderët dhe figurat qendrore të partive politike. Sido që të jetë, edhe kjo është një tregues i shume faktorëve qe duhet t'i kemi për trajtim, si performancën e partive politike në fushatën zgjedhore për pushtetin lokal, kandidatet, mënyrat e të berit fushatë, strategjitë, objektivat, komunikimi politik, rreshtimet e partive, rolin e liderit të partisë, por edhe ndikimin e pandemisë, si faktor i jashtëm politik. Kur i marrim parasysh këto rrethana, vërejmë që partia politike Lëvizja Vetëvendosje! nuk ka përformuar në fushatë ashtu siç është pritur, duke filluar nga përzgjedhja e kandidateve për kryetarë, targetimi i votuesve potenciale, marketingu politik, por edhe "strategjia" e mosbashkëpunimit me asnjë nga partitë politike te tjera. LDK, sikundër edhe PDK, kanë treguar një organizim më të mirë struktural, pasi ato me disa përjashtime kane fituar pushtetin, ashtu siç e kanë pasur në momentet më të mira të rrugëtimeve te tyre politike” tha ai.

Kujtojmë që në zgjedhjet lokale të 14 nëntorit, Lista Serbe ishte ajo që fitoi më së shumti komuna në Kosovë, gjithsej 10, duke u pasuar nga PDK me 9 komuna, LDK me 7, AAK me 5 dhe Vetëvendosje me 4 komuna, ani pse pritshmëritë e kësaj të fundit (LVV-së) ishin që t’i fitonin 24 komuna në nivel vendi!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco