Albin Kurti: Astrit Deharin e mbytën në burg, ende drejtësi nuk ka

Albin Kurti: Astrit Deharin e mbytën në burg, ende drejtësi nuk ka

10:12, 05/11/2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në pesë vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit bëri homazhe, ndërsa theksoi se Astriti i mbytur në burg është viktimë e krimit politik.

Në homazhet te varri i Astrit Dehari të pranishëm ishin kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, njofton Syri Kosova.

“Sot jam mbushur pesë vjet pa Astritin. Me shumë dhembje e mall, me shumë dashuri dhe krenari e kujtojmë për punën e angazhimin e kontributin e sakrificën e tij. Pesë vjet pa Astritin janë edhe pesë vjet pa drejtësi. U mbyt në burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016 dhe sot e kësaj dite ne nuk mund të jemi të qetë derisa nuk ka drejtësi për Astritin dhe përgjegjësit nuk janë gjykuar e dënuar dhe përderisa nuk është zbardhur në plotëni e vërteta për të”, tha ai.

“E kemi pasur shok të ngushtë, ka qenë shembull për të gjithë me aktivitetin, dashamirësinë dhe organizimin që ka bërë. Ne ia kemi borxh edhe Astritit edhe qytetarëve drejtësinë për Astritin.

Duhet dhe do të bëjmë reforma të thella në sistemin e drejtësisë, edhe për viktimat e krimeve gjatë luftës nga Serbia, edhe për viktimat e krimit të organizuar e korrupsionit, e edhe për viktimat e krimit politik, çfarë ishte edhe mbytja e Astritit në burg”, tha Kurti.

Ndërkaq, babai i Astritit, Avni Dehari kërkoi nga Prokuroria që të mos zvarriten rastet dhe sa më shpejt të zbardhet rasti i Astritit dhe rastet tjera që duhet të zbardhen.

Hetime, intervista, arrestime, raporte, ekspertiza u kryen gjatë këtyre pesë viteve që nga 5 nëntori i vitit 2016 për të zbardhur vdekjen e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, e cila ende mbetet një mister.

Prova për persona të dyshuar për këtë çështje sipas avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashit, ka me bollëk. Ai thotë se prokuroria duhet të ndërmarrë hapa dhe të mos e mbulojnë në heshtje vdekjen e Astrit Deharit.

“Ka prova të mjaftueshme dhe nuk mund të mbulojnë me heshtje vrasjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u vra në tentativë për t’i marrë deklaratat vetinkriminuese, ku shënjestër ishte Albin Kurti dhe LVV”, thotë Gashi.

Ai ka treguar disa nga zhvillimet që janë ndërmarrë gjatë këtyre viteve ndaj rastit të zbardhjes së vdekjes së Astrit Deharit brenda qelisë së burgut në Prizren. Tomë Gashi, thotë se për pesë vite kishte kërkuar që të nxirret aktvendim për zhvillim të hetimeve, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

Këto veprime Gashi thotë se i ka ndërmarrë pasi ekspertiza e Institutit Zviceran të Mjekësisë Ligjore në Zvicër kishte konstatuar dyshimet se Astrit Dehari ishte vetëvrarë.

“Një vit më parë, ekspertët e mjekësisë ligjore erdhën në Kosovë dhe morën informata shtesë për annex-ekspertizë, ku me siguri do të vërtetohet ekspertiza e parë dhe mund të kemi prova shtesë që mund të dërgojnë në identifikimin e vrasësve të Astrit Deharit. Ndërsa sa i përket shtytësve në vrasje dhe zyrtarëve që fshehën vrasjen, këta me emra dhe mbiemra duhet t’i emërojë prokuroria në aktvendim për zhvillim të hetimeve për t`u gjetur vrasësit e Astrit Deharit”, thotë avokati Gashi 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco