Transfertat mbeten tabu për Ballkanin, mposhtet edhe në fushën e Dritës

Transfertat mbeten tabu për Ballkanin, mposhtet edhe në fushën e Dritës

17:11, 22/09/2024
A+ Aa A-

Ballkani e ka të vështirë të fitojë në transfertë edhe pa Ilir Dajën në stol. Kampionët e Kosovës dështuan të merrnin pikë në fushën e Dritës, ku u mposhtën me rezultatin1-0.

Vendësit e nisën më mirë këtë ndeshje, duke krijuar mundësi të mira shënimi me Veton Tushën (5’) dhe pastaj me Blerim Krasniqin (8’), por pa mundur ta tundnin rrjetën.

Mysafirët rastin e parë serioz në këtë sfidë e patën me Sunday Adetunjin, i cili në minutën e 27-të gaboi para portës.

Ndëshkimi i Bernard Karricës me karton të kuq ishte një goditje e rëndë për Ballkanin, që në inferioritet numerik u ndëshkua nga “heroi” i Dritës në këtë ndeshje, Albert Dabiqaj, i cili shënoi me kokë në minutën e 83-të pas asistimit të Egzon Bejtullait.

Pas javës gjashtë Drita tashmë shkon në kuotën e nëntë pikëve dhe mban pozitën e gjashtë, por me dy ndeshje më pak, ndërsa Ballkani ka dhjetë pikë dhe renditet në pozitën e tretë.

Javën e ardhshme Drita do të luajë në Klinë ndaj Dukagjinit ndërsa Ballkani do të jetë nikoqir i Ferizajt.

Ndërkohë Malisheva siguroi një fitore shumë të rëndësishme përballë Gjilanit me rezultatin 2-1, duke u ngjitur në krye të klasifikimit me 13 pikë.

Për vendësit realizuan Vesel Limaj (me 11-metërsh) dhe Laurent Xhylani, ndërsa për gjilanasit shkurtoi diferencën përkohsisht Edi Basa.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco